INSTAT: Shqiptarët më 2017 punuan 73 orë më shumë se më 2016
Gjatë vitit të kaluar shqiptarët punuan 41 orë punë në javë nga 39.6 orë pune që punuan në vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT mbi karakteristikat e tregut të punës. Në total, ata punuan 1.4 orë më shumë çdo javë, ose 73 orë më shumë për gjithë vitin.
Koha në punë u zgjat më së shumti në sektorin e bujqësisë dhe atë të ndërtimit. Punonjësit në bujqësi punuan 36 orë në javë më 2017 nga 34.1 orë në vitin 2016.
Punonjësit në sektorin e ndërtimit punuan 44 orë në javë më 2017 nga 42.5 orë në javë më 2016.
Më shumë nga të gjithë punojnë punonjësit e bareve dhe hoteleve me 46 orë në javë, por koha në punë e kësaj kategorie nuk pati ndryshime të dukshëm nga 2016.
Më shumë orë në punë shpenzuan edhe punonjësit e sektorit të energjisë dhe industrisë. Më 2017 kjo kategori shpenzoi 44 orë në javë në punë në raport me 42.5 orë që shpenzoi më 2016.
Një punonjës shqiptar me pagë punoi mesatarisht në javë 41 orë, në vitin 2017 (sipas INSTAT), gati 5 orë në javë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, që llogaritet në 36.1 orë, sipas statistikave zyrtare të BE-së.
Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se në vitin 2017 punonjësit shqiptarë kanë zgjatur kohën që rrinë në punë duke e çuar në 41, ndërsa ata europiane kanë pasur sjellje të kundërt.
Sipas të dhënave të Komisionit Europian, mesatarja e Bashkimit Europian tregon se orët e punës mesatare në javë janë ulur nga 38.6 orë në 2005 në 37.6 orë në 2010 dhe 36.1 orë në vitin 2016. Për vendet e BE-së, kjo tendencë shpjegohet kryesisht me faktin që më shumë punonjës po punojnë me kohë të pjesshme dhe më pak po punojnë me orë të zgjatura (48 orë në javë ose më shumë), një tendencë që është e njëjtë si për meshkujt dhe për femrat.
Në Europë, shteti që ka orët më të gjata të punës është Turqia, me gati 50 orë në javë për meshkujt. Edhe vendet e Ballkanit nuk mbeten pas. Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria raportojnë të gjithë më shumë se 40 orë pune në javë. Por këto janë dhe shtetet me produktivitetin më të ulët, pasi vijojnë të kenë të ardhura shumë poshtë mesatares së Bashkimit Europian. P.sh., Bosnja, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria renditen të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave mesatare për frymë. Prodhimi i Brendshëm për Frymë i Shqipërisë është sa 30% e mesatares së BE-së, e parafundit në Europë, pas Bosnjës.
Fraksion.com