AktualitetTë fundit

Gjyqtarja e Kurbinit kalon Vettingun, Marçela Shehu konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyë gjyqtaren e Gjykatës së Kurbinit, Marçela Shehu.

Gjyqtarja Shehu doli më 1 qershor para KPK, organit bazë të Vettingut, ku rezultoi se nuk kishte shkelje dhe fshehje të pasurisë.

Trupa e KPK e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici dha sot në orën 10:00 vendimin për gjyqtaren, e cila kaloi me sukses ‘rrjetën’ e Vettingut.

Në seancën dëgjimore të 1 qershorit, KPK zbuloi pasurinë e gjyqtares Shehu, ku pas verifikimit të thelluar ka rezultuar se ajo ka një shtëpi banimi 100 m2, një makinë, para cash dhe depozitë kursimi për fëmijët.

“ILDKPI për gjyqtaren ka dorëzuar raportin me konstatim se është deklarim i saktë pasurie dhe e ka te justifikuar. Ne bëmë verifikim të thelluar, ka deklaruar shtëpi banimi 100m2 në njësi bashkiake nr. 8 në Tiranë, veturë ‘Mercedez Benz’ blerë në 2016 me vlerë 6 mijë euro, para cash 1 milion e 350 mijë lekë dhe depozitë kursimi për fëmijë.

DSIK për sa i përket figurës ka sjellë raport, ku shprehet se gjyqtarja nuk ka shkelje dhe është e përshtatshme për të vazhduar detyrën”, tha trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Gjyqtarja u shpreh dakord me të gjitha konstatimet e trupës, ndërsa kërkoi që të vijonte detyrën.

“Jam dakord me verifikimet nga ana e KPK-s, kërkoj të vazhdoj detyrën, procesi ka qenë korrekt”, tha gjyqtarja.

Gjyqtarja e Kurbinit, Marçela Shehu, është kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe pasi punoi për pak muaj në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit-pozicion të cilin e mban edhe sot.

 

Fraksion.com