Dështimi i Termocentralit “Kosova e Re”, dëmton imazhin e vendit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se në rast të dështimit të Termocentralit “Kosova e Re”, do të ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ne si OEK kemi mbështetur shumë këtë projekt, që nga fillimi. Më parë është nënshkruar një para kontratë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe kompanisë “ContourGlobal”. Ne si Odë Ekonomike kemi pasur një hezitim, pasi që nuk kemi pasur shumë informata për këtë projekt. Ka pasur një proces të politizuar, ka pasur dhe ende ka një luftë të madhe të lobistëve që nuk duan që ky termocentral të ndërtohet në Kosovës dhe të mund të prodhohen shumë megatavat. Në qoftë se ky projekt do të dështojë, Kosova do të vazhdojë të eksportojë para të gatshme në vendet e rajonit dhe me gjerë. Me një dështim të tillë do të shtojmë blerjet sikur i kemi në sektorë të tjerë”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, nga një dështim i tillë do të përfitonin grupet e interesit në rajon dhe Kosovë. “Dështimi eventual i Termocentralit ‘Kosova e Re”, do të jetë dështimi më i madh në ekonominë e Kosovës, që nga viti 1999. Pra është koha që ne të mendojmë dhe të punojmë që ky projekt kapital për Kosovën dhe ekonomin të mos lejohet të dështojë”, tha ai.
Gërxhaliu vlerësoi se Kosova ka shumë sfida të mëdha para vetes. “Nëse do të vazhdojmë të jemi të varur në energji edhe për vitet e ardhshme, do të jemi mbrapa. Ne edhe më tutje po paguajmë çmimin e atyre lobistëve që janë kundër Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, nëse dështon ky projekt do të jetë edhe një dëm i madh që do të i shkaktohet Kosovës në aspektin edhe të bashkëpunimit me partnerët./Telegrafi
Fraksion.com