AktualitetPolitikëTë fundit

Borisov: Sa më të ndërlidhur të jenë vendet e rajonit aq më të mëdha perspektivat për paqe

 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në një takim kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, ku diskutuan për bashkëpunimin bilateral, si dhe për dialogun dhe bashkëpunimin midis vendeve të rajonit për rrugën e integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim të takimit, Rama dhe Borisov mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku kryeministri i Shqipërisë theksoi se marrëdhëniet me Bullgarinë janë pozitive.

“Kryeministri i Bullgarisë meriton një falënderim të veçantë për faktin se në cilësinë e vendit që ka presidencën e BE-së ka bërë një sforco të jashtëzakonshme, jo vetëm duke vendosur axhenden e Ballkanit Perëndimor si shtyllën kurrizore të programit të presidencës, por dhe duke bërë avokatin e Ballkanit Perëndimor, të Shqipërisë dhe Maqedonisë posaçërisht gjatë gjithë kësaj periudhe. Pata kënaqësinë që t’i dorëzoj kryeministrit medaljen e mirënjohjes, që shpresoj të mbetet përgjithmonë në raftin e kujtimeve të tij”, tha Rama.

Duke folur bashkëpunimin mes dy vendeve, Rama tha se fjalët nuk do të mjaftonin për të përshkruar intensitetin e bashkëpunimit të kësaj periudhe. “Marrëdhëniet tona me Bullgarinë janë pozitive. Jemi të kënaqur që na u dha mundësia ta shprehim këtë cilësi të marrëdhënies edhe në rastin e kalimit në Parlament të ligjit për pakicat kombëtare”, theksoi kryeministri Rama.

“Kemi diskutuar dhe për gjithë procesin e vështirë dhe transformues të reformave, të cilat Bullgaria i ka kaluar në një fazë më të hershme dhe që janë kyçe, jo thjesht vetëm për t’u bërë pjesë e BE-së, por dhe për të modernizuar vendin dhe rritur mirëqenien”, u shpreh më tej Rama.

Ndërsa Borisov në fjalën e tij tha se sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve, dëshirojnë që të “bëhen të mrekullueshme”. Rreth rëndësisë së Korridorit 8, ai tha se Sofja, Shkupi dhe Tirana do të duken ndryshe.

Duke folur për procesin e Berlinit, Borisov tha se Ballkani Perëndimor është tema më e vështirë që mund të zgjidhet. “Është temë me rëndësi, sepse në Ballkan secili nga fqinjët të jetë keq të gjithë bëhen keq. Sa më të ndërlidhur të jenë vendet e rajonit aq më të mëdha janë perspektivat për investime, paqe dhe prosperitet. Kemi akoma dy tre shtete që janë skeptike ndaj Shqipërisë, por shumica e vendeve evropiane mendojnë që Shqipërisë duhet t’i jepet një datë për çeljen e negociatave. Kërkon përpjekje t’i bindim të gjitha vendet skeptike në fund të muajit qershor”, tha kryeministri bullgar.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar në Tiranë takim bilateral me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, të cilët kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë, mbështetjen e Bullgarisë në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe çështje të tjera. Haradinaj gjithashtu është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Borisov dhe Haradinaj ndodhen në Tiranë në kuadër të konferencës kushtuar luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm./AA

Fraksion.com