Bllokohet Shkolla e Magjistraturës: S’ka konsensus për magjistratët
Mungesa e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka bllokuar Shkollën e Magjistraturës pasi koha e dispozitave kalimtare ka mbaruar dhe askush nuk mund të emërojë magjistratët që përfundojnë studimet në qershor, ndërkohë që Shkolla e ka të pamundur edhe të nisë konkurset e reja në vjeshtë.
“Ajo që ne po bëjmë është diçka teknike, thjeshtë dispozitat kalimtare te ligjit po i shtyjmë në kohë”, tha Klotilda Ferhati.
Deputeti i LSI-së Nasip Naço ishte i vetmi opozitar në Komisionin e Ligjeve. Si ish-ministër i Drejtësisë, ai e quajti të papranueshme që të rikthehet në lojë KLD, për emërimet e magjistratëve.
“13 studentë magjistratë do të shkojnë të kërkojnë votën tek anëtarët e KLD. Do t’i mësoni që ditën e parë me ryshfetin. Do t’i mësoni që ditën e parë të jenë borxh, qoftë edhe politikisht. Kjo është kazma që po i vini Reformës, mos i përzini këta magjistratë me një pjesë të llumit të KLD”, u shpreh Naço.
Rezervat ndaj KLD nuk munguan as nga radhët e socialistëve.
“Ne u themi këtyre, meqë nuk e ngrita dot akoma KLGJ dhe KLP unë, hajde mi emëro pak këta”, tha Bashkim Fino.
Ligji për Statusin e Gjyqtarit dhe Prokurorit që duhet ndryshuar kërkon 84 vota, ndaj socialistëve i duhet ndihma e LSI-së me të cilën miratoi atë legjislaturën e kaluar.
Përveç apelit për bashkëpunim, socialistët hodhën idenë e një shorti, për të shmangur arbitraritetin e KLD-së. Por propozimi u kundërshtua nga Shkolla e Magjistraturës.
“Kështu gjejmë konsensusin. Nëse vendosim shortin arrijmë një konsensus që kënaq edhe qëllimin e propozuesve”, u shpreh Bledi Çuçi
“Ligji për qeverisjen dhe statusin përcakton rregulla si bëhet emërimi i kandidatëve dhe shortin nuk e pranon. Pranon renditjen, sepse pranon cilësinë”, u shpreh Sokol Sadushi.
Në këto kushte, Komisioni i Ligjeve e miratoi nismën vetëm në parim, derisa të gjejë një mënyrë për të zgjidhur ngërçin që tashmë nuk është vetëm juridik por edhe politik.
Fraksion.com