Bizneset në 2017: U mbyllën neto 3,300 subjekte
Monitor thotë se gjatë vitit të kaluar kanë mbyllur aktivitetin rreth 3300 biznese të vogla në shkallë vendi sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikës. Kjo është rënie neto, që nënkupton që ka pasur më shumë falimentime, ndërsa bizneset e reja të hapura nuk kanë arritur të neutralizojnë
Sipas publikimit të fundit të Statistikave të Ndërmarrjeve në vitin 2017 u numëruan 97,485 biznese me 1-4 të punësuar, teksa në vitin 2016 ishin 101,277 të tilla.
Rënia më e madhe ishte në sektorin e tregtisë me pakicë, ku gjatë vitit 2017 u mbyllën 2697 ndërmarrje, ose 82 për qind e totalit të ndërmarrjeve tashmë të mbyllura.
Biznesi i vogël është duke kaluar një periudhë të vështirë për shkak të kombinimit të disa faktorëve që kanë lidhje me konkurse nga qendrat e mëdha tregtare, rënia e konsumit, dhe rënia e popullsisë.
Si pasojë e mbylljes së këtyre bizneseve vitin e kaluar dolën të papunë rreth 10 mijë persona, sipas të dhënave nga Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Rënia e bizneseve të vogla ka sjellë një ulje të totalit të ndërmarrjeve aktive më 2017. Duke përjashtuar fermerët me nipt, numri i përgjithshëm i bizneseve më 2017 ishte rreth 127.4 mijë subjekte nga 128 mijë që ishin më 2016. Sipas të dhënave numri i përgjithshëm i subjekteve aktive sipas INSTAT ka rënë me 3.252 ose 2.6%.
Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2017 është 36.520 nga 31.372 fermerë në fund të vitit 2016.
Fermerët të cilët shesin produktet e tyre po regjistrohen në zyrat rajonale tatimore duke u pajisur me Numër identifikimi të Personit të Tatueshëm, (NIPT). Në këtë moment fermerët zotërojnë personalitet juridik, e si të tillë janë objekt i regjistrit statistikor të ndërmarrjeve që INSTAT mirëmban dhe përditëson.
Për nga ndarja rajonale, rajoni më i zhvilluar është rajoni qendër ku përfshihen qarqet Tiranë dhe Elbasan. Këtu janë përqendruar 41,5 % e ndërmarrjeve aktive. Pothuajse e njëjta situatë ndeshet edhe me ndërmarrjet e regjistruara gjatë këtij viti, me 46,2 %. Të punësuarit në këtë rajon zënë 54,4 % të të punësuarve gjithsej. Aktiviteti ekonomik tregtar mbizotëron ndaj aktiviteteve të tjera, me 32,8 %. Ky fenomen është i njëjtë si në nivel qarku, ashtu edhe në nivel bashkie.
Fraksion.com