AktualitetTë fundit

Lufta ndaj narkotikëve, analistët: Sfida nuk është e lehtë

Policia shqiptare arrestoi 3 persona në Krujë si të dyshuar për kultivimin e 2 mijë e 80 bimëve narkotike, që u dogjën në parcelën, ku u zbuluan në mes të një pylli të Krastës.

Ky ishte fundi i operacionit disamujor “Krasta2”, në përfundim të të cilit, veç tre të ndaluarve, edhe një person i katërt u procedua në gjendje të lirë për mos-kallëzim krimi.

Sipas të dhënave të fundit të policisë, kultivimi i narkotikëve këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka rënë mbi 3 herë sipas parcelave, nga 76 në 23 parcela, dhe ka rënë mbi 9 herë sipas numrit të bimëve, nga 24 mijë bimë në 2 mijë e 500 bimë narkotike.

“Prania e këtyre parcelave të reja nxjerr në dritë faktin që dukuria e kultivimit të canabisit është ende i pranishëm në territorin shqiptar dhe nuk është zhdukur krejt, e vazhdon në përmasa më të vogla. Kemi një zhvendosje të kultivimit të canabisit nga zonat e njohura si hotspote në zona të tjera ku vëmendja e policisë është më e ulët se sa në të parat” – thotë Armand Bajrami, reporter i televizionit ABC dhe analist i jetës kriminale në vend.

Në 5 muajt e fundit janë gjetur vetëm 23 parcela me afro 2 mijë e 500 bimë narkotike, plus edhe 800 ca bimë në kubikë. Policia thotë se ka kryer rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, sera, magazina e shtëpi të braktisura.

Reporterët dhe analistët e kronikës së zezë kanë këndvështrimin e tyre për këtë dukuri kriminale mbizotëruese në dekadën e fundit.

“Sa u përket shifrave të personave të proceduar dhe të hetuar për këtë vepër kriminale mund të them se bëhet fjalë për 12 mijë e 700 persona në arrest me burg, arrest shtëpie apo nën masa të tjera sigurie për akuzat e trafikimit dhe kultivimit të drogave. Shifrat e këtij viti ende nuk kanë dalë ende”– tha Klodiana Lala, reportere e Neës 24 dhe analiste e jetës kriminale.

Kontrollet nga ajri prej Guardia di Financias kanë filluar më herët sivjet, dhe nga 29 fluturime kanë dalë 17 raporte monitorim ajror, ku nuk është gjetur asnjë bimë narkotike.

“Rrezik evident është zhvendosja e bimëve narkotike nga terrenet e hapura, si ka ndodhur deri tani, në vende të mbyllura, në kushte artificiale, në tunele të harruara nga ushtria. Mendoj se policia e shtetit duhet të dëshmojë një vëmendja shumë më të lartë edhe për terrenet e mbyllura ku narkotikët mund të kultivohen në kushte artificiale për shkak të këtij sulmi policor në mjedisin e jashtëm”– tha zoti Bajrami.

Policia ka ngritur disa qindra grupe, që po kryejnë disa mijëra kontrolle cdo ditë dhe vec Krastës, kanë gjetur një parcelë në Nikël të Krujës dhe një tjetër në Frashër të Përmetit, ku u asgjësuan 1,800 bimë narkotike dhe u kap një persona në flagrancë.

“Në Itali dhe në Greqi janë kapur sasi të konsiderueshme canabisi muajt e fundit të trafikuara nga Shqipëria dhe që janë kultivuar këtu kohë më parë. Shifrat e policisë flasin per ulje të ndjeshme të kultivimit të canabisit, por trafikantët janë duke shfrytëzuar zonat e thella malore si në Shkodër, Vlorë, Gjirokastër apo Tepelenë për të vazhduar veprimtarinë e tyre kriminale. Ata po shfrytëzojnë mjediset e mbyllura si kapanone apo serra për të kultivuar canabis”– tha zonja Lala.

Këto 5 muaj janë arrestuar 13 persona të dyshuar për kultivim, 6 shtetas u shpallën në kërkim dhe 5 po ndiqen në gjendje të lirë. Policia ka proceduar 4 persona, administratorë komuniteti dhe inspektorë pyjor, për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”.

Kultivimi i hershëm i canabisit dhe stoqet e tij zunë vend në raportin e progresit të Komisionit, ku kërkohet asgjësimi i stoqeve të vjetra të narkotikëve dhe frenimi i mbjelljeve të reja.

“Një tjetër sfidë e policisë së shtetit është përfshirë edhe në raportin e progresit të Komisionit Europian në prill, ku u kërkua shtimi i luftës anti-trafik dhe shkatërrimi i sasive të mëdha stok të canabisit, të krijuar prej kultivimit masiv i viteve të fundit. Zhdukja e këtyre stoqeve mbetet një nga sfidat më të mëdha të policisë së shtetit”– tha zoti Bajrami.

Policia ka zbuluar 21 mijë fara kanabis në 15 kontrolle, dhe kapi personat përgjegjës. Forcat shqiptare po po bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacion me partnerët ndërkombëtarë, për të goditur edhe grupeve kriminale që veprojnë jashtë Shqipërisë.

“Një Shqipëri e canabizuar nuk është një imazh i mirë në sytë e Bashkimit Europian, në kohën kur Shqipëria po këmbëngul të hapë negociatat për anëtarësim të plotë. Një Shqipëri ka canabis do të ndihmonte për t’u afruar sa më shumë me BE-në”– thotë zonja Lala.

Qeveria thotë se po ban maksimumin kundër drogës, por opozita thekson se kabineti qeveritar është i lidhur me grupet kriminale, që kultivojnë dhe trafikojnë, ndaj e ka të pamundur ta luftojë drogën.

Opozita përmend si shembuj faktin se familjarët e dy ministrave të punëve të brendshme janë të pandehur apo të dënuar për trafikim të narkotikëve nga drejtësia italiane.

 

Fraksion.com