Auto Sallon Tirana 2018 – makina, adrenalinë dhe …sensibilizim!
Auto Sallon Tirana 2018 hapi dyert nga data 31 maj – 3 qershor. Eventi më i njohur i fushës së automobilave, organizoi për katër ditë para pjesëmarrësve dhe ekspertëve të sektorit një sërë aktivitetesh dhe forumesh. Expocity Albania, pjesë e ndërkombëtarëve të UFI, organizoi eventin e përvitshëm të fushës së automobilave, ambientet e të cilit janë shndërruar në një sallon makinash me brandet më të njohura.
Në fjalën e hapjes, CEO i Expocity, Aida Lutaj, u shpreh se edicioni i tretë ofroi më shumë risi në fushën e automobilave, për të gjithë të pasionuarit dhe ka për qëllim të kthehet në një traditë të përvitshme. Për gjatë ditëve të Auto Sallon Tirana 2018, vizitorët u njohën me “test drive” të modeleve më të fundit të makinave të ekspozuesve; patën mundësi blerjeje të makinës, madje edhe me cikël të mbyllur (në prani të bankave apo shoqëri leasing); të merrnin njohuri dhe kulturë për teknologjitë më të reja të kohës, aksesorët më të mirë të automobilave, të merrnin pjesë në takime biznesi dhe forume, dhe padyshim, muzikë e argëtim.
Nuk ishin vetëm meshkujt që mund të bëheshin pjesë e eventeve të tilla, po edhe femrat, të shumta në numër si drejtuese makine. Por edhe e gjithë familja ishte pjesë e aktiviteteve të planifikuara në 1 – 3 qershor.
Modelet e makinave të ekspozuara në këtë panair premtojnë tre cilësi: risi, komoditet dhe oferta të larmishme. Ky panair është një mundësi për të gjithë kompanitë pjesëmarrëse në planin e tyre të biznesit, për të qenë sa më pranë të interesuarve dhe bashkërendës në rrugën e ofrimit të teknologjive të reja e risive të fushës së automobilave.
Përfaqësuesit e Mektrin Motors, ndërsa prezantuan modelet me të cilët “krenohen”, pohuan se këtë vit skontot e ofruara për pjesëmarrësit ishin të mëdha dhe mundësitë e financimit për të interesuarit të shumta.
Një tjetër kompani paraqiti modele të cilat tërhoqën jo pak vëmendje në ditën e hapjes së panairit. Bëhet fjalë për Mercedes Benz. Sokol Kodra, përfaqësues i Mercedes Benz, pohoi se edhe këtë vit, si pjesëmarrës besnikë, u ofruan mundësi të shumta të interesuarve për makinat e fundit. Në të gjithë sallonin, gjithë ngjyra nga shkëlqimi që i dhanë makinat e ekspozuara, modelet e reklamuara ofruan edhe “test-drive”, gjë që pati interes të madh nga vizitorët: meshkuj, femra, apo edhe fëmijët të shoqëruar nga familjarët e tyre.
Përveç makinave, një element tjetër i rëndësishëm i fushës së automobilave janë padyshim aksesorët. Eno Turuku nga “Ceramic Pro”, pohon nga stenda e vendosur në zemër të Autosallonit se aksesorët janë të rëndësishëm për kompanitë e këtij sektori, si përpjekje për të sjellë cilësi dhe për të garantuar jetëgjatësi për automjetet. Edhe vizitorët patën mundësi të njihen me produktet më të mira në treg. Një promovim interesant i bërë në stendën e kësaj kompanie, ishte ekspozimi i një edicioni të limituar dhe aktualisht i vetmi në botë, i një motori Ferrari, i veshur me materialin “ceramic pro” për të ruajtur autenticitetin dhe jetëgjatësinë ndaj çdo incidenti.
Erlind Bejkollari nga Ford, një ndër veteranët pjesëmarrës në të tria edicionet e Auto Sallon Tirana, u shpreh se evente të tilla janë më se të përshtatshme për të sjellë risitë, për të reklamuar modelet e fundit dhe për t’u dhënë vizitorëve mundësi unike të prezantimit të modeleve të shumta, në një ambient të vetëm.
Në çeljen e edicionit të tretë, një ndër momentet që mbërtheu vizitorët pjesëmarrës ishte prezantimi i modelit të ri të Jeep Compass 2018, specifikat e të cilit premtojnë të jenë një makinë e së ardhmes. Eno Zeneli, Menaxher i Automaster, shpjegoi edhe risitë e fundit të Fiat, Jeep e Alfa Romeo, të ekspozuara në panair.
Forumi i zhvilluar në ditën e dytë të Panairit, më 1 qershor, mblodhi aktorë të rëndësishëm të qeverisjes, infrastrukturës dhe mjedisit, si dhe sigurimeve apo transporteve. Temat e prekura ishin siguria rrugore, diskutimi i politikave të reja në fushën e mbrojtjes mjedisore, si dhe përmirësimi i cilësisë së ajrit nga sektori i transportit; nismat e reja ligjore që priten të ndërmerren nga Ministria në kuadër të Sigurisë Rrugore, mirëmbajtjes rrugore dhe tarifimit të përdorimit të Akseve Rrugore Kombëtare; struktura e importit të mjeteve të përdorura dhe taksimi në lidhje me taksën e qarkullimit, etj. Duke mos lënë pa përmendur edhe temën e sigurimeve, përparësitë dhe risitë e “Sistemit bonus-malus” për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit, etj.
Një ndër aktivitetet më interesante të zhvilluara në ditët e Auto Sallonit 2018, është padyshim Gara Go-Kart, organizuar nga Auto Club Albania. Ky është Kampionati i Parë Kombëtar Go-Kart, i cili u zhvillua në dy etapa: parakualifikues në datën 1 qershor dhe gara zyrtare e datës 2 qershor, e ndarë sërish në dy faza. Adrenalinë dhe njëkohësisht kualifikim me njohuritë përkatëse për të gjithë pjesëmarrësit nga asistenca e ACA në panair.
Fraksion.com