AktualitetBota+Të fundit

Takimi Trump-Kim: Denuklearizimi varet nga fatura e hotelit në Singapor

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se samiti SHBA-Kore e Veriut është kthyer përsëri në shina, me shpresën se do të zhvillohet në datën e paralajmëruar, vetëm pak ditë pasi dyshime serioze u hodhën për mbajtjen e tij.

“Unë mendoj se do të keni një rezultat shumë pozitiv në fund”, u tha Trump gazetarëve të premten në Shtëpinë e Bardhë.

Dhe me përgatitjet për takimin me Kim Jong-un në Singapor, që po shkojnë drejt fundit, ekziston një pengesë e madhe që mund të lindë nga pyetja e thjeshtë : “Kush do të paguajë për hotelin e Kim”?

Në një raport të publikuar të premten, The Washington Post tha se zyrtarët e SHBA duket se po kërkonin përgjigje për këtë pyetje, duke hedhur dritë mbi implikimet praktike dhe diplomatike të planifikimit të atij që do të ishte takimi i parë në histori për udhëheqës të dy vendeve.

Sipas raportit, zyrtarët e Koresë së Veriut treguan Kim pëlqen një hotel të veçantë, të quajtur “The Fullerton”, që përkon me një vendpushim në ishull pranë bregut. Suita presidenciale aty kushton rreth 6,000 dollarë për një natë. Nuk është e qartë nëse ekipi i Kim do të qëndrojë vërtet në Fullerton, e për më tepër në suitë presidenciale.

Mysafirët nga Pheniani pritet të kenë edhe një avion nga një vend i huaj në shërbim të tyre, për të fluturuar deri në Singapor.

Ekipi amerikan, i udhëhequr nga zëvendës shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë Joe Hagin, thuhet se ka shprehur gatishmërinë për të paguar për qëndrimin e Kim, por ishte gjithashtu i vetëdijshëm se gjesti mund të perceptohet nga pala e Koresë së Veriut si një fyerje.

Në rastin më të keq, Pheniani mund të paguajë edhe për Shtetet e Bashkuara, për të treguar supermaci apo barazi me imperialistët amerikanë. Por zyrtarët e SHBA po shqyrtojnë edhe mundësinë që Singapori të paguajë për shpenzimet e Koresë së Veriut.

“Është një devijim ironik dhe tregues nga këmbëngulja e Koresë së Veriut për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë”, tha Scott Snyder, një ekspert i Koresë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kështu, perspektiva për një Gadishull Korean pa armë bërthamore mund të varet nga fakti se kush e paguan faturën për hotelin e Kim Jong-un.

Në shkurt, shpenzimet e udhëtimit të Koresë së Veriut gjatë Olimpiadës së Dimrit 2018 u paguan nga Koreja e Jugut, pasi 424 koreanë të Veriut ndoqën evenimentin. Koreja e Jugut pagoi 2.64 milionë dollarë për të mbuluar strehimet e tyre në hotele dhe ushqimet luksoze./gazeta shqip

 

Fraksion.com