Rama: Projekti i Rilindjes Urbane e shndërroi Belshin në destinacion kryesor turistik
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Belsh, ku ka prezantuar jo vetëm projektet për zhvillimin e Belshit, por edhe një sërë projektesh që do të zbatohen në këtë qark.
Takimin e llogaridhënies me qytetarët e Bashkisë së Belshit, ai e organizoi në pedonalen e re të kësaj qyteze, të ndërtuar falë programit “Rilindja Urbane”.
Kryeministri, që në krah kishte edhe deputetë të zonës dhe kryebashkiakun e qytetit, Arif Tafani kujtoi periudhën kur shkonte në këtë qytezë për të bërë fushatë dhe peripecitë e organizimit të fushatës.
“Mblidheshim në një gjysmë rruge këtu dhe pjesa tjetër ishte e gjitha e shkatërruar e gërmadhë”, deklaroi ai.
Rama tha se falë zbatimit të projektit të Rilindjes Urbane, Belshi është kthyer në destinacionin kryesor turistik të Shqipërisë së Mesme.
“Pamjet e transformimit të Belshit nuk janë pamje të krijuara nga kompjuteri, por pamje të krijuara nga një punë reale për të zbatuar një projekt transformues siç është projekti i Rilindjes Urbane”, u shpreh Rama.
Megjithatë, Rama premtoi se investimet për transformimin e kësaj zone do të vijojnë.
Ai theksoi se projekti ende nuk ka përfunduar, pasi qëllimi i qeverisë është mbyllja edhe e pjesës tjetër të liqenit dhe krijimi i unazës këmbësore të liqenit.
“Ndërtimi i një agroturizmi është thjesht transformimi i një banese apo strukture të trashëguar më parë me pak terren, në një mikrofermë apo bujtinë dhe me një infrastrukturë të thjeshtë mikpritjeje për vizitorët. Nëse prodhimi dhe nxjerrja në treg e prodhimeve bujqësore apo blegtorale ka vështirësi, e kundërta ndodh me agroturizmin. Pasi nuk është nevoja të gjesh treg për prodhimin, por thjesht duhet të krijosh një infrastrukturë mikpritjeje që i sjell njerëzit tek ti”, vijoi z. Rama.
Sipas kreut të qeverisë, zhvillimi i agroturizmit po mbështetet edhe përmes një pakete me lehtësi fiskale.
“Shumë emigrantë mund të konsiderojnë që kursimet e tyre t’i investojnë në shtëpitë prej ku janë larguar më parë, sepse përmes agroturizmit mund të realizojnë një fitim më të madh se sa në shtetet ku ata po jetojnë e punojnë. Do të kenë një regjim taksimi të thjeshtë e të lehtë me TVSH 6%, e njëjta normë si për hotelet dhe resortet me katër apo pesë yje që janë të domosdoshme për industrinë e turizmit dhe rritjen e vlerës së shtuar në turizëm”, tha ai.
Fraksion.com