AktualitetEkonomiTë fundit

Kredia për shtëpi, në lekë apo në euro

Nëse ke vendosur të blesh një shtëpi që kushton 75 mijë euro dhe banka të financon deri në 70% të shumës, pra 52,500 euro, dilema e shumëkujt është se në çfarë monedhe duhet ta marrë kredinë, nëse të ardhurat i ka në lekë.

Por, sa janë këstet mujore nëse e merr huanë në 20 vjet? “Monitor”, bazuar në kalkulatorin e kredisë, ka bërë llogaritjet për huanë në euro në shumën 52,500 euro dhe të njëjtën shumë e ka konvertuar në lekë me kursin mesatar të muajve të fundit (127.8 lekë), rreth 6.7 milionë lekë, për një afat 20 vjet, bazuar në normën aktuale të interesave të kredive për pasuri të paluajtshme.

 

SI TË LEVERDIS MË MIRË

Në euro

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në prill, interesi i kredisë së re për blerje banesash për individë në euro ishte 2.85%. Me këtë interes, shuma mujore që duhet të paguajë individi për 20 vjet është 287 euro (interesi llogaritet mbi principalin e mbetur dhe bankat e ndajnë pagesën mujore në këste të barabarta). Në fund të 20 viteve, individi do të ketë paguar gjithsej 68,940 euro, pra interesat e paguara arrijnë në 16,440 euro.

Në lekë

Nëse disa vite më parë, diferenca e lartë mes interesave të kredive në lekë dhe në euro ishte një joshje e madhe, pasi arrinte në 5-6 pikë përqindje, vitet e fundit ajo është reduktuar dukshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, në dhjetor, norma e interesit për kreditë e reja në lekë për blerje të pasurive të paluajtshme në prill ishte 3.81%, pra vetëm një pikë përqindje më shumë se ajo në euro. Për një shumë prej 6.7 milionë lekë, për 20 vjet, kësti mujor është 39,990 lekë. Në fund, individi do të paguajë 9.6 milionë lekë, nga të cilat interesa janë 2.9 milionë lekë.

Rreziku i euros

Nëse kushtet mbeten siç janë sot, nëse e merr kredinë në monedhën e përbashkët fiton rreth 880 mijë lekë nga interesat për shkak se norma për kredinë në euro është më e ulët se ajo në lekë. Por, rreziku më i madh lidhet me ecurinë e kursit të këmbimit, në momentin që të ardhurat i ke në lekë.

P.sh., nëse leku zhvlerësohet në 147 lekë, shuma totale që do të duhet të paguhet në lekë për kredinë në euro arrin në 10.1 milionë lekë, pra rreth 400 mijë lekë më shumë sesa po ta kishte marrë huanë që në fillim në lekë. Sa më tepër të zhvlerësohet euro, aq më shumë rriten humbjet, të cilat janë veçanërisht të larta për bizneset, që kanë dhe shumat e kredisë dhe këstet mujore shumë më të larta sesa individët.

 

 

Fraksion.com