AktualitetEkonomiTë fundit

Euro: Receta për të frenuar humbjet

Ekspertët Arben Malaj, Ardian Civici, Selami Xhepa, Arian Kadareja, Artan Gjergji, shtruan disa teza se si mund të minimizohen efektet negative që po krijon kursi i këmbimit tek konkurrueshmëria e ekonomisë

 

Përshpejtimi i nënçmimit të euros ndaj lekut me gati 5% në harkun e pesë muajve të parë të vitit dhe 8% që nga fillimi i 2016-s i ka bërë të “pafuqishme” institucionet financiare dhe grupet e ekspertëve për të gjetur faktet reale për zhvillimet në kursin e këmbimit, e për rrjedhojë “recetat” që mund të frenojnë rënien e mëtejshme të monedhës europiane për shkaqe të tregut të brendshëm po bëhen gjithnjë e më të vështira.

Banka e Shqipërisë dhe ekspertë të çështjeve makroekonomike në vend, ditët e fundit janë përfshirë në një debat për arsyet e forcimit të monedhës vendase dhe efektet që kanë ato te sektori i manifakturës. Profesorët Arben Malaj, Ardian Civici, Selami Xhepa, Arian Kadareja, Artan Gjergji, Ilia Kristo, Oltion Rrumbullaku shtruan disa teza se si mund të minimizohen efektet negative që krijon kursi te konkurrueshmëria e ekonomisë vendase.

 

Si mund të menaxhohen efektet

Presidenti i UET, Ardian Civici, thotë se mbiçmimi i lekut dëmton në mënyrë të veçantë njësitë prodhuese, duke i bërë mallrat e tyre më pak konkurruese në tregjet ndërkombëtare, por ai thotë se në kushtet e regjimit të lirë të kursit të këmbimit, qeveria duhet të aplikojë politikat e subvencionit dhe mbështetjes për sektorët që preken.

Profesor Arben Malaj pohon se produktiviteti i ekonomisë, shkalla e lartë e konkurrencës reduktim i deficitit tregtar, reduktimi i deficiti të llogarisë korente, duke rritur të ardhurat nga eksportet e mallrave dhe të shërbime, duke rritur investimet e huaja direkte, reduktimi i kredidhënies në euro vetëm për atë pjesë që i ka të ardhurat në lekë janë kolonat kryesore të reduktimit të riskut të kursit të këmbimit
Eksperti Selami Xhepa thotë se Banka e Shqipërisë duhet të krijojë besim për ruajtjen e vlerës së lekut në afat të gjatë.

Nëse qytetarët do të shikojnë se ekonomia po rritet shëndetshëm dhe disbalancat që krijohen menaxhohen në mënyrë “smooth”, besimi tek leku në afat të gjatë do të rikthehet. Kjo është rruga e vetme për të ndikuar në afat të gjatë. Në afat të shkurtër, rregullimi i veprimtarisë së bankave në operacionet e tyre me euro duhet të relaksohet, duke u krijuar atyre më shumë hapësira të ndërmjetësimit të euros. Nga ana tjetër, rreziku i “currency mismatch”, që ekziston për shkak se aktiviteti i firmave realizohet në lek, ndërsa kredia shlyhet në euro, kërkon që të zhvillohen instrumente të mbrojtjes nga rreziku i kurseve të këmbimit. Pra, zhvillimi i tregut të kapitaleve duhet të marrë një stimul më të madh.

Të njëjtin mendim ndan edhe Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE, i cili shprehet se, bankat e nivelit të dytë duhet të nxiten drejt ofrimit të Produkteve Derivativë që ofrojnë Mbrojtje (hedging) nga Risku i Kursit të Këmbimit. Ai shprehet se praktikat më të mira ndërkombëtare tregojnë se agjentët ekonomikë, që kanë transaksione të shumta në valutë të huaj, nënshkruajnë kontrata derivative (future, forwards, options, swaps) që kanë efekt mbrojtës (hedging) me qëllim reduktimin në maksimum të ekspozimit ndaj riskut të luhatjes së këmbimit valutor.

Zef Preçi propozon që vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet së shpejti të ndërtojnë një strategji të posaçme të ngjashme për zëvendësimin e monedhave të tyre kombëtare (përveç Malit të Zi dhe Kosovës që tashmë e kanë hedhur këtë hap), ta përfshijnë atë në idetë ofruara konverguese të procesit të anëtarësimit ne BE dhe t’i japin mbështetje politike këtij procesi shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin. Edhe Z.Xhepa është një mbështetës i zëvendësimit monetar, pra që vendi të kalojë në përdorimin zyrtar të euros si monedhë kombëtare.

Arian Kadareja, profesor në Universitetin e New York, thotë se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë duhet të synojnë neutralizimin e zhvlerësimit të euros të shkaktuar nga faktorë si hyrjet e parave të ekonomisë së zezë dhe spekulimi. Natyrisht, ndërhyrja duhet bazuar fort në vlerësimin sasior të faktorëve ekonomikë dhe jo ekonomikë.

Ilia Kristo, profesor i Ekonomisë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, thotë se masa e parë është të përcaktohen faktorët që kanë nënçmuar euron dhe në bazë të tyre, institucionet duke filluar nga Banka e Shqipërisë dhe të tjerat publike të evidentojnë ndërhyrjet, që do të vlerësonin lekun kundrejt euros.

Më herët, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, zv/guvernatorja Elisbeta Gjoni shpjegoi se, Banka e Shqipërisë nuk influencon, apo përpiqet të influencojë, ecurinë e kursit të këmbimit kur kjo lëvizje është në përputhje me fondamentet. Megjithatë, ajo shton se në rast se kursi i këmbimit do të frenojë kthimin e inflacionit në objektiv, përtej parashikimeve, atëherë, “Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë, nëpërmjet instrumenteve konvencionale në dispozicion dhe në përputhje me regjimin e politikës monetare”.

 

INTERVISTAT

 

Arben Malaj: Të rritet produktiviteti

Produktiviteti i ekonomisë, shkalla e lartë e konkurrencës reduktim i deficitit tregtar, reduktimi i deficiti të llogarisë korente, duke rritur të ardhurat nga eksportet e mallrave dhe të shërbime, duke rritur investimet e huaja direkte, reduktimi i kredidhënies në euro vetëm për atë pjesë që i ka të ardhurat në lekë janë kolonat kryesore të reduktimit të riskut të kursit të këmbimit. Një element i rëndësishëm është edhe komunikimi sa më i mirë dhe me efektiv i politikave monetare, fiskale dhe i reformave strukturore.

Reduktimi i paqartësive për zhvillimet e ardhshme, ekonomike, sociale e politike, reduktimi i riskut të kursit të këmbimit, funksionimi më mirë i shtetit ligjor sidomos në pjesën e sektorit bankar që lehtëson ndërmjetësimin e tyre në ekonominë reale, krijojnë faktorë fondamentale dhe të qëndrueshëm që ekonomia jonë të rritet me ritme më të larta, të qëndrueshme dhe të drejta. Studimet shkencore argumentojnë se nuk ka banka, institucione financiare jo bankare dhe fonde të investimeve financiare të suksesshme pa një ekonomi të fortë dhe nuk ka ekonomi produktive dhe konkurruese pa një sistem financiar modern.

 

Adrian Civici: Të aplikohen politika subvencioni për bizneset që dëmtohen nga kursi i këmbimit

Mendoj se në kushtet e politikës të kursit të lirë të këmbimit, që ndjek Shqipëria, është pothuajse e pamundur dhe nuk rekomandohet që të ndërhyhet direkt në kursin e këmbimit, sidomos në raportet euro/lek. Aq më tepër që në rastin tonë, dobësimi i euros nuk vjen si pasojë e politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane apo dobësimit të euros në tregjet valutore ndërkombëtare (përkundrazi në këto tregje, euro ka tendencë të forcohet sidomos kundrejt dollarit amerikan), por vjen nga faktorë të brendshëm në Shqipëri.

Për të zbutur efektet e luhatjes së kursit të këmbimit mund të bëhen politika apo ndërmerren masa indirekte për kompensime të ndryshme monetare apo fiskale për kategoritë e bizneseve që preken më direkt nga luhatjet e kursit të këmbimit. Politika jonë monetare dhe deri diku dhe ajo fiskale mund të ndikojnë në kontrollin e inflacionit dhe stabilitetin e lekut, por nuk kanë fuqi e efekte në vlerën e euros. Dëshiroj të nënvizoj dhe nevojën e zgjerimit të informimit dhe edukimit financiar e monetar, veçanërisht me bizneset që të jenë më të kujdesshëm kur operojnë me monedha të ndryshme në aktivitetet e tyre.

 

Selami Xhepa: Banka të mos lejojë që korrektimi i monedhës të falimentojë eksportuesit

Kontributi më i mirë që Banka e Shqipërisë mund të bëjë në ekonomi është që të ruajë stabilitetin financiar në vend dhe të krijojë besim për ruajtjen e vlerës së lekut në afat të gjatë. Nëse qytetarët do të shikojnë se ekonomia po rritet shëndetshëm dhe disbalancat që krijohen menaxhohen në mënyrë “smooth”, besimi tek leku në afat të gjatë do të rikthehet. Kjo është rruga e vetme për të ndikuar në afat të gjatë. Në afat të shkurtër, rregullimi i veprimtarisë së bankave në operacionet e tyre me euro duhet të relaksohet, duke u krijuar atyre më shumë hapësira të ndërmjetësimit të euros.

Nga ana tjetër, rreziku i “currency mismatch” që ekziston për shkak se aktiviteti i firmave realizohet në lek, ndërsa kredia shlyhet në euro, kërkon që të zhvillohen instrumente të mbrojtjes nga rreziku i kurseve të këmbimit. Pra, zhvillimi i tregut të kapitaleve duhet të marrë një stimul më të madh. Bankat e huaja që operojnë në Shqipëri janë të familjarizuara me operacione të tilla ‘hedging’, prandaj mund të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtij segmenti të tregut.

Për momentin, Banka e Shqipërisë duhet të jetë më aktive në tregun valutor për të mos lejuar që procesi i korrektimit të kursit të këmbimit nëpërmjet fuqizimit të monedhës të kryhet në një mënyrë kaq intensive, duke rrezikuar falimentimin e kompanive eksportuese, të cilat e kanë të pamundur të reduktojnë më tej kostot apo fitimet e tyre.

 

Arjan Kadareja: Ekonomia po e pëson nga shtrembërimet

Eksportuesit janë vënë në pozitë të vështirë, sepse të ardhurat i kanë në euro dhe shpenzimet i kanë kryesisht në Lekë. Pra, kanë ulje fitimi sepse kostot e shprehura në euro iu rritën. Ndërkohë, duke qenë të vegjël e nën presionin e konkurrencës në tregjet e huaja ku shesin, nuk kanë mundësi të bëjnë rritje çmimesh.

Prodhuesit për tregun e brendshëm që konkurrojnë me importet janë në kushte të pafavorshme, sepse konkurrohen nga importet më të lira të ardhura nga Eurozona. Këta prodhues, që të mos lëshojnë pjesë tregu, ose duhet të ulin çmimet ose kostot, ose pak nga të dyja. Pra fitimi i tyre preket për keq.
Forcimi i lekut, ia vështirëson Bankës Qendrore punën për arritjen e objektivit prej 3% të inflacionit. Të mos harrojmë se ka disa vjet që inflacioni është rreth 2%, pra nën objektiv. Forcimi i lekut sjell importe më të lira nga Eurozona, pra një efekt të padëshiruar deflacioni.

Efektet e dobësimit të euros në buxhetin e shtetit janë të dyllojshme. Nga njëra anë, është efekti pozitiv i “shfryrjes” së vlerës në lekë të asaj pjese të borxhit të qeverisë të denominuar në euro e dollarë (rreth 45% e totalit të borxhit) si dhe i uljes së vlerës në lekë të kësteve që paguan qeveria për shërbimin e këtij borxhi. Nga ana tjetër, forcimi i lekut i vë frena rritjes ekonomike, gjë që bashkë me të tjerat sjell edhe uljen relative të të ardhurave nga taksat.

Regjimi i tanishëm ia lë tregut të këmbimeve valutore përcaktimin e kursit të këmbimit Lekë/Euro. Me këtë regjim fleksibël, Banka Qendrore ndërhyn vetëm kur ka luhatje me natyrë jo-ekonomike e që rrezikojnë të transmetohen e të dëmtojnë ekonominë reale. Ky regjim lejon përdorimin e politikës autonome monetare për arritjen e objektivit të inflacionit, si dhe shmang spekulimet e mundshme kundër lekut.
Mendoj se në kushtet aktuale, një pjesë e zhvlerësimit të euros mund të kualifikohet si shtrembërim apo externalitet. Ata që dëmtohen fillimisht nga ky externalitet janë eksportuesit, si dhe prodhuesit për tregun vendas që konkurrojnë me importet nga zona euro. Më pas e pëson e gjithë ekonomia, sepse ngadalësohet rritja ekonomike.

Mendoj se regjimi fleksibël i kursit të këmbimit i bën mirë ekonomisë shqiptare për sa kohë përcakton një çmim eficient të Lekut kundrejt euros, d.m.th. një çmim të përcaktuar nga faktorë ekonomikë. Nëse, kursi i këmbimit shtrembërohet nga paratë e zeza dhe spekulimi, e pëson ekonomia reale.
Kjo mendoj se e justifikon ndërhyrjen e Bankës Qendrore në tregun e këmbimeve valutore (në kahun e blerjes së eurove me Lekë) pa e kompromentuar regjimin e tanishëm të kursit të këmbimit. Pra, mendoj se kjo ndërhyrje duhet të synojë neutralizimin e zhvlerësimit të euros të shkaktuar nga faktorë si hyrjet e parave të ekonomisë së zezë dhe spekulimi. Natyrisht, ndërhyrja duhet bazuar fort në vlerësimin sasior të faktorëve ekonomikë dhe jo-ekonomikë.

 

Artan Gjergji: Bankat të nxisin produktet derivative që mbrojnë bizneset nga kursi

Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve ALSE shprehet se në kushtet në të cilat ndodhemi, gjykoj që ka një sërë masash që duhet të merren nga agjentët ekonomikë dhe autoritetet përgjegjëse.

1) Formalizim dhe Organizim të Tregut të Brendshëm Valutor (Domestic Forex Market) – një element mjaft i rëndësishëm është zyrtarizimi i tregut të brendshëm FOREX nëpërmjet krijimit të mekanizmave të nevojshëm të organizuar dhe të mbikëqyrur nga rregullatorët, ku të përputhet kërkesa dhe oferta për valutë të huaj në vend. Kjo d.m.th realizimin e transaksioneve të tregut të brendshëm FOREX në tregje zyrtare dhe transparente.

P.sh., në rast se do kishte një vullnet pozitiv të rregullatorëve financiarë, siç janë Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE do të ishte e gatshme të hapte një segment të veçantë tregu, ku institucionet financiare por edhe agjentë të tjerë ekonomikë (si zyrat e këmbimit valutor, apo kompanitë e import-eksportit) të kishin mundësinë të ballafaqonin kërkesën dhe ofertën e tyre ditore për valuta të huaja në një ambient krejtësisht transparent dhe të pandikuar nga manipulimet.

2) Bankat e Nivelit të Dytë të nxiten drejt ofrimit të Produkteve Derivative që ofrojnë Mbrojtje (hedging) nga Risku i Kursit të Këmbimit – praktikat më të mira ndërkombëtare tregojnë se agjentët ekonomikë, që kanë transaksione të shumta në valutë të huaj, nënshkruajnë kontrata derivative (futurës, forwards, options, swaps) që kanë efekt mbrojtës (hedging) me qëllim reduktimin në maksimum të ekspozimit ndaj riskut të luhatjes së këmbimit valutor. Kontrata të tilla do të mbronin shumë importuesit, por sidomos eksportuesit nga luajtjet e kursit. Por, nuk duhet të harrojmë që kultura financiare në vendin tonë lë për të dëshiruar, ndaj në krye të kësaj lëvizje duhet të jenë vetë bankat e nivelit të dytë, të cilat duhet të përgatisin produkte të tilla dhe t’ua servirin ato bizneseve të ekspozuara nga risku i kursit të këmbimit.

3) Kontroll të fortë në Pagesat e Vogla në Valutë të Huaj. Mjaft shtete në faza të caktuara të zhvillimit të tregut të tyre financiar, aplikojnë masa të rrepta në identifikimin e transaksioneve të vogla në valutë të huaj, duke u përpjekur të zhdukin mundësinë e hyrjes në sistemin financiar të parave që mund të kenë burime të jashtëligjshme. P.sh., eksperienca e vendeve të rajonit ka treguar që, nën regjime të tilla të rrepta, kërkohet mjet identifikimi edhe për transaksione këmbimi valutor, në vlera minimale (p.sh., 5, 10, 20 euro etj.).

4) Transparencë e Lartë në Transaksionet e Tregut të Brendshëm Valutor. Banka e Shqipërisë duhet të publikojë të dhëna të qarta në lidhje me volumet e transaksioneve në valuta të huaja në tregun e brendshëm, për të gjitha segmentet (ndërbankar dhe tregun me pakicë).

5) Prezantim më i qartë i Politikës së De-Euroizimit tek Publiku. Gjykoj që BSH duhet të bëjë më shumë në drejtim të sqarimit publik nëpërmjet mediave, apo konferencave, apo takimeve me grupe të caktuara interesi të nismës së ndërmarrë për de-euroizimin, duke shpjeguar qartë dhe thjesht përfitimet që i vijnë publikut, por edhe agjentëve të tjerë ekonomikë nga një politikë e tillë./Monitor

 

 

Fraksion.com