AktualitetBota+Të fundit

Trumpi pendohet për emërimin e ministrit të Drejtësisë

Presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar ashpër ministrin e Drejtësisë, Jeff Sessions edhe më parë. Por tani ai i ka shtuar kritikat edhe më shumë.

    
Presidenti amerikan Donald Trump me një varg mesazhesh në Twitter i ka bërë të ditur deputetit republikan Trey Gowdy se është i pakënaqur me ministrin e Drejtësisë Jeff Sessions. Sërish në qendër të vëmendjes janë hetimet lidhur me aferën e përzierjes së Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale, kur Donald Trump fitoi ndaj kundërkandidates së tij Hillary Clinton. Jeff Sessions vendosi në mars të vitit 2017 të dalë nga hetimet dhe ka ngarkuar me këtë punë zëvendësin e tij  Rod Rosenstein. Rosenstein emëroi në maj të vitit 2017 hetuesin e posaçëm Robert Mueller dhe ka kërkuar prej tij zbardhjen e aferës ku bëhet fjalë edhe për kontaktet e bashkëpunëtorëve të presidentit Trump me Kremlinin.
USA | Pressekonferenz Justizminister Jeff Sessions über DACA-Programm (Getty Images/A. Wong)Jeff Sessions

“Do të doja ta kisha bërë këtë!”

Ai do të ishte i “frustruar” me faktin që ministri i Drejtësisë nuk e ka informuar presidentin me kohë për motivet e tij, për të mos u përzier në hetimet lidhur me këtë aferë, tha Gowdy. Dhe: “Ka vërtet shumë avokatë të mirë në këtë vend, ai do të kishte zgjedhur një tjetër!”, citon Trumpi deputetin. Presidenti shton: “Unë do të dëshiroja ta kisha bërë këtë!”

Prej verës së kaluar, Trumpi ka bërë disa herë publik zemërimin e tij me Sessions. Ai kritikon ministrin për një sjellje “ekstremisht jo fer”. Por pas këtyre pohimeve fshihet pritja e presidentit që ministri i Drejtësisë të mbajë anën e tij në procesin e hetimeve, në vend se të jetë neutral. Ministria e Drejtësisë është në një pjesë të madhe e pavarur nga Shtëpia e Bardhë.

Sessions duhet të jetë më aktiv

Sulmet e fundit të presidentit ndaj ministrit Sessions janë forcuar pas raporteve të gazetës “New York Times”. Gazeta ka shkruar së fundmi se presidenti në mars të vitit 2017 ka dështuar në përpjekjet e tij në një vend luksoz në Mar-a-Lago në Florida, që të bindë ministrin që të jetë më aktiv në hetime.

Sessions ia ka dorëzuar zëvendësit të tij mbikqyrjen e hetimeve në aferën për përzierjen e Rusisë në zgjedhje, pas bërjes publike të të dhënave se gjatë fushatës ka pasur dy takime me ambasadorin rus. Por këtë fakt nuk e ka përmendur në kohën kur është nominuar për postin e ministrit./DW

 

Fraksion.com