AktualitetBota+Të fundit

Spanjë: Pedro Sánchez merr detyrën e kryeministrit

Parlamenti spanjoll votoi në favor të mocionit të mosbesimit kundër kryeministrit Mariano Rajoy, duke i dhënë fund qeverisë së qendrës së djathtë të Spanjës pas gjashtë vjetësh në pushtet.

Mocioni u ngrit nga shefi socialist i opozitës, Pedro Sánchez, pas përfundimit javën e kaluar të një gjyqi të gjatë korrupsioni, i njohur si rasti Gürtel. Një gjykatë spanjolle gjeti fajtorë ish-zyrtarë të Partisë Popullore të zotit Rajoy për kryerjen e një operacioni me mashtrim fondesh.

Pedro Sánchez, do të jetë kryeministri i shtatë spanjoll që kur Spanja rivendosi demokracinë në vitet e 70-ta pas diktaturës së Francisco Francos.

Një ditë më parë ai i kërkoi zotit Rajoy të japë dorëheqjen për të shmangur poshtërimin duke u bërë kryeministri i parë spanjoll që humbet votëbesimin.

“Do t’ju bëj një pyetje zoti Rajoy, a jeni gati të jepni dorëheqjen, a jeni gati të jepni dorëheqjen sot, këtu, tani. Jepni dorëheqjen zoti Rajoy dhe gjithçka do të përfundojë. Ju mund të largoheni vetë nga qeveria. A do të japësh dorëheqjen apo do të vazhdosh të kapesh pas pozitës, duke dobësuar demokracinë, duke dobësuar dhe nënçmuar cilësinë e institucionit qeveritar?”

Ai tha se do të respektojë buxhetin e miratuar nga qeveria aktuale e zotit Rajoy dhe gjithashtu do të kërkojë të fillojë një dialog të ri me rajonin e trazuar të Katalonjës.

Gjatë debatit, zoti Rajoy tha se votimi i mosbesimit është vetëm një justifikim nga ana e zotit Sánchez për të marrë pushtetin pa zgjedhje.

“Dënimi nuk fajëson Partinë Popullore për korrupsion ose për krijimin e një sistemi korruptiv institucional. Do të ishte mirë të lexoni vendimin dhe ta lexoni mirë. Ajo që thuhet në vendim është se disa anëtarë të Partisë Popullore kishin krijuar një sistem paralel me disa kompani. Kjo është ajo që thuhet në vendim dhe prandaj Partia Popullore nuk u dënua penalisht, por për një shkelje ligjore, për një veprim që siç thuhet në vendim, Partia Popullore nuk ishte në dijeni. Prandaj ju keni gënjyer dhe nuk mund të vini në parlament për të treguar gënjeshtra “.

Zoti Sánchez la të kuptohet të enjten se do të provojë të qeverisë deri përfundim të mandatit aktual të parlamentit në mesin e vitit 2020, por është e paqartë sa do të qëndrojë administrata e tij me vetëm 84 deputetë socialist në parlamentin 350 vendesh.

Për shkak të qëndrimeve të tij pro evropiane, ai ka bërë që investitorët të shohin më pak rreziqe politike në Spanjë sesa në Itali, ku të enjten u arrit marrëveshja për një koalicion të partive që kanë paralajmëruar se do të sfidojnë rregullat fiskale të Bashkimit Evropian dhe do të godasin emigracionin./VOA

 

Fraksion.com