SHBA kundër rezolutës së KS për Gazën
Shtetet e Bashkuara do të vënë veton ndaj një rezolute të sponsorizuar nga Kuvajti, për mbrojtjen e palestinezëve në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, ndërsa ajo hidhet për votë të premten në Këshillin e Sigurisë, shkruan VOA.
Ambasadorja amerikane Nikki Haley e quajti propozimin si qasje “tepër të njëanshme” në ndalimin e dhunës mes izraelitëve dhe palestinezëve.
“Shtetet e Bashkuara hartuan një deklaratë të Këshillit të Sigurimit që do të kishte dënuar organizatën Hamas për goditjet me raketa, që përbën rrezik për popullsinë civile. Nuk do shumë hamendësime për ta kuptuar. Mund të thuash se askush nuk do të mbështeste Hamasin kur flitet për goditje me raketa, por faktikisht deklarata u bllokua.”
Ambasadorja Haley tha në një deklaratë mbrëmjen e së enjtes se, “Hamasi nuk përmendet fare në rezolutë kur dihet se Hamasi është përgjegjësi kryesor për dhunën e fundit në Gaza”.
Ambasadorja amerikane paralajmëroi se çdo anëtar i këshillit që voton në mbështetje të projekt-rezolutës “do të tregonte mungesë aftësish për të marrë pjesë në çdo lloj negociate të besuesshme mes të dy vendeve.”
Si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara kanë fuqi vetoje dhe mund të bllokojnë çdo projekt-rezolutë. Rreth 120 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga fundi i muajit mars. Protestuesit po kërkojnë të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre të mëparshme brenda Izraelit, të zemëruar nga zhvendosja e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Izraeli thotë se Hamasi po i përdor protestat si mbulesë, në përpjekjet për të depërtuar në kufi dhe se ka të drejtën për të mbrojtur kufirin dhe territorin e vet.
Fraksion.com