AktualitetBota+Të fundit

Pompeo: Përgatitjet për takimin Trump-Kim në rrugën e duhur

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo thotë se negociatat e djeshme me numrin dy të Koresë së Veriut kanë rezultuar në “përparim real”. Zoti Pompeo bisedoi në Nju Jork me zëvendësin më të lartë të Kim Jong Unit, mbi planet e takimit mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nike Ching sjell hollësi:

Përgatitjet për takimin mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut po vazhdojnë si duhet, thonë zyrtarët amerikanë.

Kim Yong Chol është zyrtari më i lartë koreano-verior që viziton Shtetet e Bashkuara në 18 vjet. Pas takimit të tretë mes tij dhe shefit të diplomacisë amerikane, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se është arritur përparim real.

“Nënkryetari Kim Yong Chol tani ka në plan të vijë në Uashington për të dorëzuar një letër personale të Kryetarit Kim Jong Un. Takimi që

është propozuar ofron një mundësi historike për Presidentin Trump dhe Kryetarin Kim që të udhëheqin me guxim Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Veriut drejt një epoke të re me paqe, begati dhe siguri,” tha zoti Pompeo.

Ndërkaq, zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni pret nga Koreja e Veriut një zotim historik para se të zhvillohet takimi.

Dje, Presidenti Trump u mundua të mos ushqente shpresat për një zgjidhje të shpejtë për ta bindur Korenë e Veriut të braktisë armët bërthamore, duke thënë se mund të duhet më shumë se një takim mes dy udhëheqësve për të finalizuar marrëveshjen e çarmatosjes bërthamor.

Analistë të politikave të jashtme paralajmërojnë se ka një numër sfidash:

David Albright, Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare

“Duhet bërë procesi i vështirë i verifikimit, duhet realizuar çarmatosja bërthamore: mbyllja e objekteve bërthamore, verifikimi i sasisë së plutonit të pasuruar dhe nivelit të pasurimit,” thotë analisti David Albright.

Analisti David Albright parashikon se Koreja e Veriut do të eliminojë të gjitha programet dhe armët bërthamore relativisht shpejt, në shkëmbim për garanci sigurie dhe lëshime nga Shtetet e Bashkuara./VOA

 

Fraksion.com