RajoniTë fundit

Maqedoni: Riformatim i kabinetit qeveritar

Parlamenti i Maqedonisë diskuton mbi propozimet e kryeministrit Zoran Zaev për riformatimin e kabinetit të tij qeveritar.

Katër vende ministrash dhe po aq zëvendës-ministra ndryshojnë në kabinetin e tij. Koalicioni qeveritar zgjerohet me njërin krah të Lëvizjes “Besa”, me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen e Romëve.

Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik, do ta drejtojë ministrinë e Kulturës, ndërsa Bardhyl Dauti i PDSH-së si ministër pa portofol. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate shkëmbejnë postet e ministrave të Drejtësisë dhe të Arsimit. Renata Deskoska e LDSM-së nga Arsimi do të kalojë në Drejtësi prej nga është larguar para pak muajsh Bilen Saliji (BDI), ndërsa Arbër Ademi i BDI-së nga zëvendës-ministër bëhet ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Kryeministri Zaev gjatë ekspozesë në parlament, duke folur për nevojën e ndryshimeve në kabinet, tha se “krizën e thellë politike po e lëmë pas vetes duke hapur procese serioze reformash për ta kthyer besimin tek institucionet dhe ambienti demokratik”. Ai shtoi se vendi nga izolimi me tensione të mëdha politike arriti tek pragu i anëtarësimit të vërtetë në NATO dhe tek një datë e pritshme për bisedime me Bashkimin Evropian.

Zoti Zaev vlerëson se propozimet për ministrat e rinj janë të duhur dhe me kapacitet për ta kryer detyrën e tyre me sukses.

Por, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e vetë kryeministrit sepse, sipas saj, po e çon vendin drejt greminës dhe po “shet interesat shtetërorë të Maqedonisë”.

Ata cituan Zaevin të jetë shprehur para shumë muajsh se “në kabinetin e tij ka ministra të cilët nuk dinë të punojnë, të tjerë që nuk duan dhe të tretë që nuk dinë por duan të mësojnë” dhe së këndejmi ligjvënësit e VMRO-së kërkojnë llogari dhe përgjigje nga kryeministri maqedonas se kush janë këta ministra dhe pse vazhdon t’i mbajë në kabinetin e tij qeveritar. VMRO-ja e quan këtë si “riformatim pazaresh”, pa përmbajte dhe mesazhe politike.

Votimi për ministrat e rinj duhet të bëhet deri para mesnate. Nëse ata miratohen më herët, atëherë parlamenti do të hapë debatin edhe për zëvendës-ministrat.

 

Fraksion.com