AktualitetTë fundit

Gjimnazet e Shqipërisë me oficerë sigurie

Oficerët e Sigurisë do të vendosen në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë që prej shtatorit të 2018-s.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla nënshkruan sot marrëveshjen për shtrirjen e projektit, i cili u pilotua në 15 shkolla në Tiranë dhe garantoi një mjedis të sigurt për nxënësit.

Oficerët e Sigurisë do të shërbejnë për të garantuar më shumë siguri në mjediset e shkollave, për parandalimin e konflikteve dhe akteve të dhunshme brenda komunitetit të nxënësve dhe parandalimin e çdo lloj veprimtarie kriminale në mjedisin rreth territorit të shkollave apo tentativave për të përfshirë të rinjtë në këtë lloj veprimtarie.

Marrëveshja u nënshkrua në gjimnazin ”Petro Nini Luarasi”, një prej shkollave të mesme të Tiranës ku nisi aplikimi i projektit pilot. Oficerët e Sigurisë do të trajnohen në Akademinë e Sigurisë, për një periudhë intensive 1-mujore.

Ministri Xhafaj deklaroi se nisja e projektit, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Rama, synon ndërtimin e ambienteve shkollore më të sigurta.

“Ne nuk dëshirojmë, nuk kemi pasur dhe nuk kemi kurrë si qëllim që të vendosim një polic, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale, por ne kemi si qëllim për të ofruar më shumë siguri që të vendosim këtu, edukatorë me frymën e ligjit, për zbatimin e ligjit dhe për të parandaluar së bashku me trupën pedagogjike, fenomene negative, akte të konflikteve apo të dhunës së brendshme”, – tha Xhafaj.

Po ashtu, sipas tij, “synohet të parandalohen edhe përpjekjet e jashtme, për të implikuar dhe tërhequr nxënës në rrugën e krimit”.

“Në këtë lloj qasje, Oficerët e Sigurisë në shkolla brenda territorit të shkollës janë edukatorë, ndërsa jashtë territorit të shkollës shërbejnë si pika lidhëse ndërmjet policisë dhe shkollës. Ky është qëllimi i rolit të Oficerit të Sigurisë në shkolla”, – tha ministri i Brendshëm.

Duke u ndalur tek projekti i Policimit në Komunitet, ministri Xhafaj theksoi se e njëjta frymë bashkëpunimi që po ndërtohet mes nxënësve, mësuesve e prindërve dhe Policisë për sigurinë në shkolla, duhet të ndihet edhe në zonat e banuara.

Ministrja Nikolla duke u ndalur në të dhënat e ofruara nga projekti pilot tha se, “janë shumë inkurajuese dhe pozitive”. Vetëm brenda 10 javëve, sipas ministres Nikolla, Oficerët e Sigurisë kanë ndihmuar në zgjidhjen e 80 konflikteve brenda shkollave.

“Një tregues tjetër që unë do të doja ta evidentoja është edhe një trend zbritës në rrafshin e konflikteve. Nëse shikojmë raportimet shumë serioze që vijnë dhe nga shkollat dhe nga oficerët e sigurisë, në javët e para numri i konflikteve ka qenë shumë më i madh, gjë që ka ardhur çdo muaj në zbritje, duke treguar edhe njëherë besimin në rritje, por ajo që është objektivi kryesor i këtij projekti, shkollat janë më të sigurta”, – tha Nikolla.

Sipas saj, “këto 15 modele janë të nevojshme për të mësuar edukim sesi zgjidhen konfliktet, si menaxhohen zemëratat e vogla të adoleshentëve, për mospërdorimin e lëndëve narkotike dhe se si komuniteti, prindërit dhe mësuesit të dinë të koordinojnë veprimin dhe punën për të ofruar më shumë siguri dhe më shumë arritje në shkolla”.

“Janë të gjitha objektiva që në këto 10 muaj këta djem dhe vajza të shkëlqyer, të mirëtrajnuar edhe në Akademinë e Sigurisë, na kanë dhënë shembullin më të mirë, por edhe gjithë argumentet që ne të vijojmë më tej me këtë projekt”, – theksoi ministrja e Arsimit.

Për drejtoreshën e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” Teuta Bracaj, por edhe për nxënësit, Oficerët e Sigurisë kanë sjellë një impakt pozitiv.

“Të gjithë ne kemi ndjerë ndryshimin që ka ndodhur në shkollë që nga dita kur ka ardhur Oficerja e Sigurisë. Ndryshimin e kemi vënë re të gjithë, duke filluar nga ne mësuesit, nxënësit dhe prindërit”, – tha drejtoresha Bracaj.

 

Fraksion.com