AktualitetBota+Të fundit

Divorci i pamundur midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës

Ka pasur një periudhë, kur shprehja më në modë në marrëdhëniet transatlantike, ishte shakaja e famshme e Henri Kisinxherit: “Evropa? Cili është numri i saj i telefonit?”.

Me sa duket sot problemi nuk është më numri, por fakti që në të dyja anët e Atlantikut telefoni bie dhe askush nuk përgjigjet. Me vendimin për të tërhequr Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Marrëveshja Bërthamore me Iranin dhe vendosur sanksione të forta ndaj Teheranit, që zbatohen në mënyrë të njëanshme për kompanitë evropiane, marrëdhëniet transatlantike kanë degraduar në një përmasë të tillë që nuk ishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhe një Evropë e traumatizuar, mezi po përpiqet të hartojë një strategji kolektive bindëse, për t’iu kundërpërgjigjur Trumpit. Një debat i shkurtër më 23 maj në Tëitter, përmbledh më së miri keqkuptimin mes botës ‘së vjetër’ dhe asaj ‘të re’.

Kur eksperti amerikan mbi marrëdhëniet ndërkombëtare Ualter Rusell Mead, shkroi se “shkaku kryesor i tensioneve aktuale në marrëdhëniet transatlantike, është fakti se aleatët evropianë presin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin botën si ata”, ambasadori francez në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gerard Araud, reagoi menjëherë duke shkruar se “Sot shkaku kryesor i tensioneve në marrëdhëniet transatlantike, është fakti se aleatët tanë amerikanë, presin që evropianët ta shohin botën si Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kjo replikë flet shumë për mosmarrëveshjet aktuale. Në 18 muajt e Administratës Trump, hendeku ka vazhduar të zgjerohet. Nga indiferenca – të cilën Kancelarja Merkel e vuajti e para në shpinë – pasuan vendimet e përsëritura të njëanshme, që ishin goditje ndaj paktit transatlantik, që mbështet rendin ndërkombëtar të 70 viteve të fundit.

Emërimet e ‘skifterëve’ kohët e fundit në postet kryesore të administratës, me Xhon Bolton si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe Mike Pompeo si Sekretar i Shtetit, vetëm sa i përshkallëzojnë vështirësitë.

Mbi klimën, tregtinë, Iranin dhe Jerusalemin, evropianët u befasuan dhe tronditën nga një unilateralizëm amerikan, i cili nuk përpiqet të ruajë as fasadën e rendit aktual, dhe që është tërësisht i pa interesuar për përfshirjen apo pasojat për aleatët e saj.

Aspekti më serioz, është gjendja katastrofike e marrëdhënieve transatlantike, në një moment ripërcaktimi të marrëdhënieve ndërkombëtare të pushtetit. Për evropianët është fundi i sigurisë, sepse siç e tha hapur Angela Merkel pak kohë më parë

“Evropa nuk mund të mbështet më tek Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e vet”, tha ajo.

Kjo deklaratë ka shumë pasoja. Për dekada me radhë, Evropa Perëndimore, gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas ribashkimit të kontinentit pas shembjes së Murit të Berlinit, është mbështetur në ‘ombrellën amerikane’ të mishëruar nga NATO dhe neni 5 i tij, i cili siguron solidaritetin automatik në rastin e një sulmi.

Për këtë arsye, të gjitha përpjekjet franceze për të promovuar një mbrojtje të pavarur evropiane, u përplasën me reagimet e tjera evropiane: në të rastin mirë të mirë një po e ndrojtur dhe mjaft skeptike në lidhje me dobinë e kësaj nisme; në rastin më të keq një qasje armiqësore nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, që cilësohet si ‘mikja më e mirë’ e Shteteve të Bashkuara dhe mbrojtësja e interesave të Uashingtonit në Evropë.

Por sot mbreti është lakuriq: Evropa është e çorientuar dhe e kupton se lidhja që mendonte se ishte shumë i fortë me aleatin amerikan, është shumë më e brishtë nga sa besonte. Pëshpërimat mbi mbrojtjen evropiane dhe vështirësia në organizimin e shpejtë të një përgjigje ndaj ekstra-territorialitetit të sanksioneve amerikane, e bëjnë Bashkimin Evropian të varur nga këto vendime të njëanshme të Uashingtonit.

Aspekti pozitiv në gjithë këtë situatë, është fakti që Trump ka krijuar në mesin e tre vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian – Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, tre nënshkruesve të marrëveshjes bërthamore me Iranin – një ndjenjë uniteti që është parë rrallë në të kaluarën.

Kujtojnë se në vitin 2003, në krizën e rëndë e serioze transatlantike, kur Parisi dhe Berlini refuzuan të ndjekin Administratën e Presidentit Bush në aventurën e saj dramatike në Irak, Kryeministri britanik Toni Bleir favorizoi ‘marrëdhënien speciale’ me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përçarë frontin evropian.

Ndaj është një ndryshim historik, paradoksalisht më pak se një vit nga BREXIT. Por, Evropa nuk është tërësisht e bashkuar: Austria, Hungaria dhe Rumania, morën pjesë në inaugurimin e ambasadës amerikane në Jerusalem, ndërsa Bashkimi Evropian vendosi të abstenojë, ndërsa Republika Çeke po mendon madje të zhvendosë ambasadën e saj në qytetin e kontestuar.

Bashkimi Evropian është i ndarë, edhe mbi projektet për të rinisur integrimin politik dhe formimi i një qeverie euroskeptike në Romë, mes popullistëve dhe djathtës ekstreme, sigurisht që nuk e lehtëson kërkimin për konsensus. Pesha e atyre që frenojnë, është bërë shumë e madhe, për të menduar integrimin e mëtejshëm të bllokut prej 27 anëtarësh.

Kësisoj, mbetet mundësia e një baze të fortë me qendër Francën dhe Gjermaninë, që ka të ngjarë të organizojë një përgjigje evropiane ndaj unilateralizmit të Trump.

Por e gjitha kjo rrezikon të jetë e pamjaftueshme, për t’u përballur me emergjencat e momentit dhe i lë hapësira të mëdha diplomacitë kombëtare siç tregohet nga udhëtimet e Angela Merkel në Kinë dhe Makron në Rusi.

Por, Evropa nuk do të dalë nga aleanca e saj historike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka as kapacitetin dhe as vullnetin për ta kryer këtë divorc të kushtueshëm.

Në këtë skenar ajo do të rrezikonte të gjendej edhe më e margjinalizuar dhe më e pambrojtur, në një botë kaotike multipolare, në të cilën blloqe të mëdha përplasen me njëra tjetrën, në mungesë të rregullave të qarta të lojës.

Në rastin më të mirë, Evropa do të përpiqet në një mënyrë apo tjetrën të organizohet, për të përcaktuar konturet e koherencës së ardhshme, siç është propozuar nga Makron për ata që duan të ecin së bashku më të përpara dhe mbi të gjitha për të mbijetuar, në pritje të mbarimit të makthit me emrin Trump. /Internazionale /Gazeta Ekonomia

 

Fraksion.com