Tatimet, thirrje subjekteve dhe individëve: Deklarohuni, për të ardhurat që fitoni
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim zyrtar për shtyp u ka bërë thirrje të gjithë subjekteve (individë apo subjekte tregtare) se duhet të llogarisin, deklarojnë dhe paguajnë Tatimin në Burim për të gjitha të ardhurat e realizuara me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, të cilat janë objekt i tatimit, sipas legjislacionit tatimor, duke përmbushur kështu detyrimin që ju lind atyre për të bërë pagesa për të ardhurat e realizuara.
Në zbatim të ligjit nr.8438 datë 28.121998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” nenet 8, 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%.
Sipas pikës 2.6.4, të Udhëzimit të Ministrit të Financave, për të ardhura të paguara nga persona, të cilët nuk mund të bëjnë mbajtjen e tatimit në burim për llogari të organeve tatimore shqiptare, individi përfitues i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.
Deklarimi dhe pagesa mund të kryhen online, përmes faqes zyrtare, por më parë është e nevojshme që individi përfitues të paraqitet pranë zyrës se Shërbimit të Tatimpaguesve, pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, për t’u regjistruar për përgjegjësinë tatimore të Tatimit në Burim, si dhe për t’u pajisur me fjalëkalimin për hyrjen në llogarinë e tij, në sistemin e deklarimit elektronik.
Individi, përfitues i të ardhurave, duhet të dorëzojë brenda dates 20 të çdo muaji deklaratën e Tatimit në Burim, që përmban informacionin e nevojshëm mujor për të llogaritur detyrimin tatimor.
Deklarimi kryhet vetëm elektonikisht dhe për këtë duhet të ndqini hapat e mëposhtëm:
– Hapet faqja zyrtare e administratës tatimore: www.tatime.gov.al
– Në menynë “e-Shërbime” zgjidhet rubrika “individët”, në të cilën klikohet për të aksesuar llogarinë e deklarimit elektronik.
– Hapet dritarja e aksesimit në llogari, ku si emër përdoruesi vendoset numri personal (sipas Kartës së Identitetit dhe jepet fjalëkalimi përkatës).
– Për të aksesuar llogarinë, duhet të zgjidhet: “E lexova dhe bie dakord me termat dhe kushtet”.
– Me hyrjen në llogari, në menynë “Deklarata” zgjidhet “Tatimi në Burim”.
– Tek rubrika “Deklarata të padorëzuara” listohen deklaratat, që duhet të plotësohen.
– Zgjidhet periudha për të cilën do të kryhet deklarimi.
Individi përfitues i të ardhurave, plotëson rubrikën 15 “Pagesat për qiratë” të deklaratës së tatimit të mbajtur në burim, duke hedhur shumën mujore të përfituar nga qiratë dhe tatimin e llogaritur në masën 15%.
Duke klikuar butonin “Dorëzo”, deklarimi përfundon dhe dorëzohet në Administratën Tatimore.
Pas dorëzimit, deklarata mund të printohet për efekt dokumenti, duke klikuar butonin “Printo”.
Për kryerjen e pagesës, individi, përfitues i të ardhurave, në menynë “Deklarata të dorëzuara”, zgjedh periudhën përkatëse dhe shtyp butonin “Printo Urdhër Pagesë”. Ky urdhër i printuar shërben për të kryer pagesën në sportelet e bankave të nicvelit të dytë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u kujton tatimpaguesve se përmbushja vullnetare e detyrimeve, përveçse është një detyrim ligjor, vlerësohet edhe si një akt qytetar, që vullnetin për forcimin e shtetit ligjor.
Administrata Tatimore garanton se do të ndërmarrë të gjitha masat, si për mbledhjen e tatimeve, por edhe për të lehtësuar tatimpaguesit në përmbushjen e detyrimeve.
Fraksion.com