PBB-ja shqiptare: 64% zënë pagat për punonjësit
INSTAT ka publikuar së fundmi treguesit e shpërndarjes së PBB-së, duke përshtatur raportimet kombëtare me standardet (ESA 2010).
Produkti i Brendshëm Bruto me çmimet e tregut shpërndahet sipas elementeve:
1-Punë (kompensimi i punonjësve)
2-Taksa (diferenca e taksave dhe subvencioneve mbi prodhimin) dhe
3-Fitimi operativ bruto
Sipas INSTAT, kompensimi i punonjësve zë pjesën kryesore të vlerës së shtuar bruto në ekonomi me 64%.
Gjatë periudhës 2013-2015, vihet re trend në rritje i kompensimit të punonjësve, duke ndjekur të njëjtin trend me vlerën e shtuar bruto, për ekonominë gjithsej.
Nga ana tjetër, si rezultat i rritjes më të lartë të kompensimit të punonjësve, fitimi operativ bruto në raport me vlerën e shtuar ka pësuar rënie në vitin 2015, krahasuar me 2014 me 6 pikë përqindje.
Sektori Jo-Financiar dhe Sektori i Familjeve janë dy sektorët më të mëdhenj në ekonomi, rrjedhimisht dhe vlera e kompensimit të punonjësve ndahet ndërmjet këtyre dy sektorëve.
Sektori Financiar zë rreth 2% të kompensimit të punonjësve dhe përbëhet nga një numër më i vogël njësish që operojnë në këtë sektor. Sektori që zë pjesën më të vogël është ai i institucioneve Jofitimprurëse në shërbim të familjeve me 1%.