Ministri i Jashtëm rus arrin në Korenë e Veriut
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov mbërriti sot në Korenë e Veriut, njoftoi media shtetërore, ndërsa Pheniani vazhdon të angazhohet në bisedime me fuqitë e mëdha rajonale.
Lavrov bëhet ministri i parë i Jashtëm i vendit të tij që udhëton në Korenë e Veriut pas nëntë vitesh, por ai priti në prill në Moskë homologun e tij verikorean Ri Yong-ho.
Ministria e Jashtme e Rusisë më herët njoftoi se dy shefat e diplomacive do të diskutojnë zhvillimet në gadishull dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët.
Koreja e Veriut së fundmi duket të ketë treguar përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët, pasi lideri Kim Jong-un ka vizituar Kinën dy herë që nga muaji mars, pasi asnjëherë më parë nuk kishte dalë jashtë vendit në cilësinë e tij të liderit.
Ndërkohë, Pheniani ka mbajtur dialog të drejtpërdrejt me Korenë e Jugut dhe SHBA-të, madje duke premtuar se do të përpiqen për paqe dhe denuklearizim.
Përpjekjet e Kim do të avancojnë më tej nëse do të mbajë samitin e paprecedentë me presidentin amerikan Donald Trump të planifikuar për më 12 qershor në Singapor, edhe pse anulimi dhe më pas ç’anulimi nga ana e Trumpit e ka hedhur atë në dyshim.
Thuhet se Koreja mund të jetë në kërkim të lehtësimit ekonomik, pasi për vite është përballur me sanksione në rritje, veçanërisht pasi që Trump mori detyrën vitin e kaluar./AA
Fraksion.com