Avokati i Popullit: Tarifat juridike tepër të larta; Nuk konsiderohen të ardhurat e ulëta
Avokati i Popullit bën të ditur se, ndryshimet që iu bënë ligjit të tarifave gjyqësore dhe që hynë në fuqi në fillim të këtij viti, përbëjnë shkelje të hapur të parimit të proporcionalitetit, të së drejtës kushtetuese dhe garancisë për akses në gjykatë.
Ky institucion deklaron se një ndër rekomandimet e drejtuara vitin e shkuar Kuvendit të Shqipërisë nuk u mor parasysh, ndonëse përbënte shkelje të së drejtës kushtetuese dhe sidomos të ankimit, për të cilin fatura u rrit më shumë.
“Jo vetëm gjatë procesit të hartimit të tij, por edhe pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë dhe dërgimit të tij për dekretim nga Presidenti i Republikës, në konsultimet e zhvilluara me përfaqësues të Presidencës dhe shoqërisë civile, institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur qëndrimin se tarifat gjyqësore të përcaktuara janë tepër të larta duke pasur parasysh minimumin jetik në vendin tonë dhe se në rastin konkret nga ligjvënësi nuk mbahen parasysh parimet e proporcionalitetetit dhe progresivitetit. Kjo, pasi një kategori personash që i drejtohen rrugës gjyqësore janë persona me të ardhura ekonomike të ulëta, me ndihmë ekonomike, apo me asistencë sociale”.
Avokati i Popullit thotë se është problematike edhe vendosja e rritjes më 500 lekë çdo vit të tarifave të shërbimit juridik, sidomos duke marrë në konsideratë se edhe vetë ndihma juridike falas për grupet në nevoje nuk po zbatohet.
Vlera e tarifave këtë vit
Tarifat gjyqësore për çdo nivel gjykimi janë: 1% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Shkallë të Parë; 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë; 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë; 5.000 (pesëmijë) lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta; 2.500 lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale; 5.000 lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit; 5.000 lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë. 5.000 lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues.
Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2.500 lekë; Nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5.000 lekë. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2.500 lekë. Tarifa gjyqësore e përgjithshme për paraqitjen e çështjeve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese është 5.000 lekë.
Kjo tarifë paguhet vetëm në ato raste, kur Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të individëve. Vlera minimale e tarifës gjyqësore të përgjithshme është 700 lekë dhe ajo do të paguhet në këtë masë për paditë me vlerë deri në 700.000 lekë. Kur çështja gjyqësore kthehet për rigjykim nga gjykatat më të larta, nuk paguhet sërish tarifë gjyqësore e përgjithshme. Në nenin 6 parashikohet se gjykata urdhëron kthimin e gjysmës së tarifës gjyqësore të përgjithshme të paguar rregullisht në rastet kur: Pala ndërgjyqësore tërheq padinë ose ankimin; ose çështja gjyqësore zgjidhet me pajtim midis palëve./Monitor
Fraksion.com