Shifrat alarmante: Sëmundjet tumorale zgjerohen në moshat e reja; Qarqet me vdekjet më të larta
Shëndeti i popullatës shqiptare po kalon një tranzicion të vështirë për shkak të përhapjes me shpejtësi të sëmundjeve që vrasin shpejt, sidomos kardiakeve dhe neoplazmave (tumoralet). Nga viti 2012-2017 kanë humbur jetën nga sëmundjet tumoralë mbi 3500 persona çdo vit. Sëmundjet malinje ishin shkaktari i dytë i vdekjeve në Shqipëri gjatë vitit 2017 me një rritje 2.1 për qind në raport me vitin e kaluar.
Por teksa popullsia po tkurret dhe po plaket prej rënies së numrit të lindjeve dhe emigracionit, numri i personave që humbasin jetën nga kjo sëmundje janë në rritje, sidomos ne moshat e reja sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në vitin 2017 numri i personave qe humben jetën nga sëmundjet tumorale ishin 74 më shumë se në vitin 2016.
Sëmundja zgjerohet te moshat të reja
Neoplazmat më parë ishin sëmundje karakteristikë për moshat mi 60 vjeç, sidomos ndër duhanpirësit, por gjithnjë e më shumë sëmundja po prek moshat më të reja. INSTAT raportoi se në vitin 2017 humbën jetën nga tumori 10 të rinj të moshës 10-14 vjeç me një rritje 66 për qind në raport me vitin 2016 ku kishin humbur jetën 6 të rinj të moshës se adoleshencës.
Gjithashtu të dhënat tregojnë se ka një rritje të vdekjeve nga tumoret për grupmoshën 40-60 vjeç.
Në vitin 2017 u ndanë nga jeta 68 persona të moshës 40-44 vjeç, 10 më shumë se në vitin 2016. Vdekjet u shtuan në grupmoshën 55-59 vjeç, ku humbën jetën 363 persona, 33 më shumë se një vit më parë (shiko tabelën).
Mjekët në klinikën onkologjike në QSUT, pohojnë se vitet e fundit ka një shtim të rasteve tumorale sidomos në moshat e reja. Femrat gjithnjë e më shumë po preken nga kanceri i gjirit dhe i uterusit, ndërsa meshkujt nga prostata.
Burimet në onkologjik pohojnë se rastet me kancer janë dhjetëfishuar vitet e fundit dhe statistikat nuk janë të sakta. Shumë persona operohen dhe diagnostikohen jashtë, ndërsa ka shumë raste nga Kosova që trajtohen në Shqipëri. Por, përpos numrit në rritje, mjekët janë të shqetësuar se po preket grup mosha e re 20-40 vjeç.
Sipas INSTAT, në 2017-n, vdekjet më të mëdha nga tumoret ishin te meshkujt, me 61% të totalit.
Të dhënat e INSTAT, të përpunuara nga Monitor për 1000 banorë tregojnë se në vitin 2017 është rritur prevalenca e vdekjeve nga tumori për grupmoshat 10-29 vjeç; 40-59 vjeç; ndërkohë që ka pasur ulje për grupmoshat 30-39 vjeç dhe mbi 60 vjeç.
Qarqet më të prekura, Gjirokastra dhe Korça
Numrin më të madh të jetëve të humbura nga sëmundjet e tumoralë e ka Tirana, për shkak edhe të numrit më të madh të banoreve, por prevalencën më të lartë të jetëve të humbura e ka qarku i Gjirokastrës, me 2.21 jetë të humbura për 1 mijë banorë. Gjirokastra ka më shumë jetë të humbura për shkak të plakjes së popullsisë me ritme më të larta se në qarqet e tjera. Pas Gjirokastrës vjen Korça me 1.66 të vdekur për 1000 banorë, më pas Shkodra me 1.64 për 1 mijë banorë, Vlora me 1,50 të vdekur.
Numrin për të ulët të jetëve të humbura për 1 mijë banore e ka Tirana me 0.99 të vdekur për 1000 banorë me 2017, më pas Lezha me 1.05 të vdekur për 1000- banorë, Durrësi me 1.11 jetë të humbura për 1000 banorë dhe Kukësi me 1.17 jetë të humbura për 1000 banorë.
Të dhënat nga administrata e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” QSUT, tregojnë se në repartin e onkologjisë u trajtuan 7 mijë raste të reja në vitin 2017 në raport me rreth 5 mijë raste të reja që ishin në vitin 2014.
Shkaktarët e sëmundjes dhe rekomandimet
Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.
Në vendin tonë, kanceri mund të mbahet në nivele të ulëta nëse rritet kontrolli mbi sigurinë ushqimore, të frenohet duhanpirja dhe të ulet ndotja në mjedis, rekomandojnë mjekët. Nëse këta faktorë rreziku nuk frenohen, mjekët pohojnë se vitet e mëvonshme do të jenë një katastrofë në përhapjen e sëmundjes.