Serbi: Policia pengon futjen e fotografive me simbole kombëtare nga Kosova
Policia kufitare serbe, ndaloi futjen në territorin e Serbisë të disa fotografive dhe një katalogu fotografish me simbolet e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin pjesë e një ekspozite të artistes Eliza Hoxha që do të hapet në Beograd.
Ndalimi i fotografive u bë derisa një grup artistësh po udhëtonin për në Beograd për të marrë pjesë në festivalin “Mirdita, Dobar Dan”, nëpërmjet të cilit synohet shkëmbimi i veprimtarive artistike si mjet për normalizimin e marrëdhënieve, shkruan VOA.
Ndalimi i fotografive nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi, tha se po i ndjek me shqetësim pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova që janë nisur për të marrë pjesë në ekspozitën “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd.
“Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim. Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte evropiane në mes vendeve të rajonit. Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Evropës Juglindore nuk kanë të ardhme evropiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”, shkroi ai.
Kryeministri Ramush Haradinaj, shkroi në facebook se “Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale”.