AktualitetBota+Të fundit

Kiev: Vritet një gazetar rus

Arkadi Babçenko konsiderohej si një nga reporterët më të njohur rusë të luftës. Sipas të dhënave të policisë ukrainase bashkëshortja e gjeti gazetarin të mbuluar me gjak në banesën e tij.

41 vjeçari vdiq kur ndodhej ende në autoambulancë, rrugës për në spital. Kolegu i Babçenkos Osman Pashajev shkroi në faqen e tij në Facebook se gazetarin e patën vrarë në shkallë me tri të shtëna në kurriz. Policia ukrainase supozon një lidhje midis vrasjes dhe punës së reporterit dhe ka nisur hetimet në këtë drejtim.

Shkrime për veprime brutale në luftën e Çeçenisë

Babçenko pati luftuar në vitet 1990 dhe në fillim të vitit 2000 kur ishte ushtar i ri rus në luftërat e Çeçenisë, përpara se të bëhej gazetar me emër, i cili shprehej në mënyrë shumë kritike për punën në qeveri të Presidentit Vladimir Putin. Ai punonte për gazetën opozitare ruse “Novaja Gazeta” dhe për radiostacionin liberal të Moskës, Jehona. Në temat që trajtonte ai bënte pjesë edhe konflikti në Ukrainën Lindore. Ai e akuzonte Moskën se mbështeste kryengritësit e atjeshëm prorusë.

Policia para shtëpisë së gazetarit të vrarëPolicia në Kiev para shtëpisë së gazetarit të vrarë

Babçenko u largua nga Rusia në shkurt 2017. Ai e argumentoi këtë hap me kërcënime të përsëritura kundër tij dhe familjes së tij. Gazetari druhej se mund ta arrestonin. Fillimisht ai jetoi në Çeçeni, më vonë në Izrael dhe së fundi në Kiev. Sipas të dhënave të kolegut të tij Pashajev ai drejtonte së fundi një emision në stacionin televiziv ukraines ATR.

Rusia hedh poshtë akuzat se qëndron pas atentatit

Në kryeqytetin e Ukrainës kjo është vrasja e tretë e madhe që ndodh ndaj një gazetari në katër vitet e fundit. Në vitin 2016 u vra me një bombë të fshehur në një automjet reporteri rus Pavel Sheremet, po kritik i Kremlinit. Në vitin 2015 u vra gazetari ukrainas Oleg Busina. Të dyja rastet janë të pasqaruara.

Rusia i hodhi poshtë akuzat e zyrtarëve qeveritarë nga Ukraina se është Kremlini që qëndron pas vrasjes së gazetarit disident rus. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov foli për shpifje dhe tha se ky është “kulmi i cinizmit”. Ai kërkoi që Ukraina të kryejë hetime rrënjësore dhe tha se shpreson që vende të tjera të kërkojnë nga Kievi që të bëjë më shumë për të mbrojtur gazetarët./DW

 

Fraksion.com