Ekonomia nuk po kreditohet më; Prej 6 muajsh huadhënia në rënie
Huaja për ekonominë ka shënuar rënie në prill, për të gjashtim muaj radhazi, në një sinjal që bizneset kanë frenuar investimet.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill, stoku i kredisë për ekonominë ishte 546 miliardë lekë, me një rënie prej 0.4 për qind në raport me muajin e mëparshëm. Tkurrja ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë, ku efekt ka pasur zhvlerësimi i euros, pasi të dhënat e Bankës së Shqipërisë raportohen në lekë.
Huaj apër bizneset në lekë në prill u rrit me 0.8% në raport me muajin e mëparshëm, ndërsa në valutë ra me 1.4% për të njëtën periudhë kohore.
Në rritje me 0.8% me bazë mujore ishte dhe kredia për individë në lekë, ndërsa ajo në monedhë të huaj për individët ra me 1%.
Me bazë vjetore (prill 2018/prill 2017) kredia për ekonominë ka shënuar një rritje minimale prej 0.1%. në këtë tendencë ka ndikuar rënia e huasë në valutë me 5%, ndërsa ajo në lekë është rritur me 5.8%.
Pesha e huasë në valutë ka rënë vazhdimisht, duke zbritur nga rreth 70% që ishte disa vjet më parë në 49.3% në prill, teksa për herë të parë huaja në lekë është më e lartë sesa ajo në valutë.
Niveli i ulët i huadhëniës është konstatuar dhe nga Banka e Shqipërisë në raportet e saj. “Oreksi i bankave për kreditim vijon të mbetet relativisht i ulët, duke pasqyruar efektin e dy faktorëve: (i) politika e reduktimit të ekspozimit ndaj vendeve të rajonit, përfshi dhe Shqipërinë, të bankave mëma me origjinë nga Eurozona; dhe, (ii) perceptimi i rrezikut të kreditit në vend”, ka pohuar guvernatori i bankës së Shqipërisë në raportimin e fundit në Kuvend.
Bankierët pohojnë edhe se mosfinancimi nga bankat i bizneseve të mëdha, ndërsa ka një përqendrim më të madh tek sipërmarrjet e mesme dhe të vogla ka bërë që rritja e huasë të mos jetë e lartë. Nga ana tjetër, sistemi ka qenë aktiv në fshirjen e huave me probleme që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin, apo dhe bankat kanë bërë fshirje të pjesshme që kreditë për klientët që kanë kthyer një pjesë të saj. Bankierët janë ankuar ndërkohë që mungojnë projektet e mira nga bizneset dhe kjo ka ndikuar në lëvrimin e huasë së re.
Bankat ndërkohë janë të “zëna” me procesin e shitblerjeve, teksa disa banka me kapital perëndimor kanë dalë në shitje (pas shitjes së NBG tek ABI Bank, këtë vit janë në proces dhe Societe Generale dhe Tirana Bank), çka ka ndikuar në oreksin e bankave për të dhënë hua në ekonomi./Monitor
Fraksion.com