Beograd: Festivali “Mirëdita, dobar dan”
Festivali „Mirëdita, dobar dan“ mbahet në Beograd prej vitit 2014, me qëllim që shikuesit serbë të njihen më mirë me kulturën dhe zhvillimet shoqërore në Kosovë.
Kërcënimet e radikalëve
Në prag të festivalit të sivjetëm, i cili mbahet nga data 30 maj deri me 2 qershor, partia ultranacionaliste radikale serbe (SRS) ka paralajmëruar pengimin e mbajtjes së festivalit. Deputeti i kësaj partie Miljan Damjanoviq tha se ata do ta pengojnë mbajtjen e festivalit, në qoftë se organet e shtetit nuk e ndalojnë mbajtjen e këtij manifestimi të Iniciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut. Deputeti ka kërkuar të njëjtën gjë edhe në maj të vitit 2016, por radikalët nuk kanë ndërmarrë asgjë tjetër.
Synime e (pa)arritura
Klima e keqe politike në raportet Beograd-Prishtinë nuk i shkon në favor festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Maja Stojanoviq nga Iniciativa Qytetare, një nga themeluesit e festivalit, thotë për DW se “festivali për fat të keq është shumë larg realizimit të synimeve. Festivali është menduar si një shans për njerëzit që nuk merren me Kosovën që të njihen me zhvillimet atje. Por duket se po zvogëlohet numri i peronave të interesuar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë”. Një prej shkaqeve mund të kërkohet edhe tek gjendja politike, mendon Stojanoviq: “Në vitin 2014 kemi pasur fillimet e aplikimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe gjërat kanë shkuar në drejtim të duhur, por tani situata është përkeqësuar”.
Sofija Todoroviq, koordinatore e programit Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, mendon se festivali megjithatë ka realizuar disa pritje, sepse takimet mes njerëzve po vazhdojnë. Çdo vit në këtë festival vendosjen lidhje të reja të përjetshme, ndaj mendoj se synimi po realizohet. Sipas saj, dhuna dhe kërcënimet po vazhdojnë si pasojë e mosndërhyrjes së autoriteteve të shtetit, të cilat nuk po e pengojnë “egërsinë nacionaliste, kërcënimet dhe urrejtjen”, por edhe për faktin se Vojisllav Shesheli sot gjendet në Parlament, ndonëse është dënuar për krime lufte dhe sipas ligjit nuk mund të jetë deputet.
Sofija Todoroviq thotë se radikalët nuk kanë kurrfarë të drejte të veprojnë në emër të Republikës së Serbisë, ndaj e habit fakti që autoritetet lejojnë që një organizatë e këtillë të përcaktojë se çfarë mund të bëhet në Beograd dhe çfarë të ndalohet. “Kjo është skandaloze dhe nëse autoritetet e Serbisë vërtet duan t’i normalizojnë raportet me Kosovën, atëherë duhet të ndalojnë gjëra të tilla”.
Propaganda radikale
Maja Stojanoviq thotë se autoritetet serbe jo vetëm që po punojnë pak në parandalimin e dhunës në tubime, por kjo u mundëson radikalëve të shfaqen në opinion dhe të përfitojnë simpati të njerëzve me orientim nacionalist. Protestat e këtilla nuk do të ishin të mundura sikur pushteti të ishte më i vendosur. Por pushteti po jep një leje të heshtur për gjëra të këtilla. Ndaj Stojanoviq mendon se protestat e tyre të dhunshme janë vetëm një dëshmi tjetër se autoritetet nuk po e bëjnë punën si duhet.
Festivali “Mirëdita, dobar dan” quhet në kumtesat e radikalëve si një “veprim antikushtetues dhe promovim i Kosovës së pavarur”. Por Maja Stojanoviq mendon ndryshe. “Nëse Marrëveshja e Brukselit është arritur mes Prishtinës dhe Bogradit, a nuk do të thotë kjo një hap tjetër drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, drejt njohjes faktike, nëse jo juridike. Manifestimi ynë është kulturor”; thotë Maja Stojanoviq.
“Pohimet se manifestimi ynë paraqet njohje të pavarësisë së Kosovës dhe ndërkombëtarizim të saj janë të pakuptimta. Radikalët kanë fituar vetëm, dy përqind të votave në zgjedhjet lokale në Beogad. Ndaj ata po përpiqen që me aksione të këtilla të rikthehen në opinion”, thotë Sofija Todoroviq./DW
Fraksion.com