Auditimet janar-prill 2018: KLSH zbulon 35 milionë euro dëm, kryesojnë KESH dhe Aviacioni Civil
Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në periudhën janar-prill 2018 kanë konstatuar shkelje nga ana e institucioneve që kapin shumën 35.4 milionë euro. Aktiviteti ekonomik I përfshirë në këto kontrolle është ai 2015-2017 ndërkohë që rezultatet janë dhënë vetëm nga 20 procedura auditimi të përfunduara dhe evaduara. Dëmi ekonomik është i ndarë në dy zëra ku së pari janë parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, që për 4 mujorin rezultojnë me dëm ekonomik në shumën totale prej 2,581,106 mijë lekë ose 20.2 milionë euro.
E dyta është shkelja e disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 1,942,534 mijë lekë, afërsisht 15.2 milionë euro nga e cila: 959,832 mijë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 7.5 milionë euro dhe 985,241 mijë lekë afërsisht 7.7 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.
Fushat dhe insitucionet me shkelet më të mëdha
Raporti i Kontrollit të Larë të Shtetit ka dalë në përfundimin se nga totali i parregullsive dhe shkeljeve financiare peshën më të madhe e mban grupi “të tjera” me mbi 1.8 miliardë lekë dhe specifikisht janë dy institucionet shkaktare.
“KESH sh.a, në vlerën 1,594,920 mijë lekë, si pasojë e miratimit nga bordi i ERE me vendimin nr.79/2016 për marrëveshjen me shoqërinë “OST” për shërbimet ndihmëse dhe balancimit të sistemit elektroenergjitik dhe si pasojë “privatizimi i magazinës Shkozet” i kryer nga Ministria e Financës dhe ZVRPP Durrës në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.
Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, në vlerën 211,358 mijë lekë, si pasojë e detyrimeve (të ardhurat e realizuara por të papërdorura) që përbëjnë vlerën e fitimit, të cilat nuk janë derdhur në Buxhetin e Shtetit nga AAC” thuhet në raportin e KLSH.
Qiradhënia, shit-blerja e pasurisë shtetërore rezulton me një dëm prej 326 milionë lekësh ku pjesën kryesore e mban Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me 234 milionë lekë.
Në fushën e prokurimeve janë konstatuar dëme në vlerën 234 milionë lekë ku shkeljen kryesore për procedurat e mban Autoriteti I Aviacionit Civil me 28 milionë lekë kurse për shkeljen e procedurave të zbatimit kryeson KESH.
Në sektorin e doganave dhe tatim-taksave raporti vëren se janë konstatuar shkelje në vlerën 82.6 milionë dhe 45.8 milionë lekë.
Në fushën e pagave dhe shpërblimeve janë 20.3 milionë lekë dëm dhe të fundit shpenzimet operative me 12.2 milionë lekë./Monitor
Fraksion.com