Shqipëria “nuk zbret në fushë”, turpërohet 3-0 nga Kosova
Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi thellë ndaj kosovës në miqësoren e zhvilluar në Zyrih, në një ndeshje ku trajneri Panucci pa se si skuadra bëri 90-minutëshin më të keq që kur ai drejton kuqezinjtë.
Eksperimentet me formacionin nuk sollën asgjë pozitive, madje, veç disfatës së thellë, përfaqësuesja e Shalandit ishte superiore edhe në lojën e zhvilluar.
Rashica dfhe Avdijaj testuan fillimisht prapavijën e Shqipërisë, por ekuilibrat u prishën në minutën e 20 me golin e Arbër Zenelit. Dy zëvendësime të kuqezinjve pa shkuar skuadrat në pushim ishin një sinjal i qartë nga pankina se duhej ndryshuar gjithçka, por disfata e Shqipërisë mori përmasa më të rënda.
Në një aksion model të përfaqësueses kosovare, Zeneli shkarkoi në rrjetë të djathtën e tij, i pashqetësuar nga mbrojtja si në rastin e avantazhit.
As goli i dytë nuk i zgjoi kuqezinjtë nga loja letargjike, madje prapavija thuajse inekzistente mashtroi Etrit Berishën në një krosim që përfundoi në portë, në tentativën e Zhegrovës. Kosova ruajti e pashqetësuar avantazhin komod, madje mund të kishte shënuar për herë të katërt nëse shtylla nuk do të ndalte goditjen e Taipit.
Fatmirësisht disfata erdhi në një miqësore, e njëjtë me atë që rezervon Ukraina në qershor, por trajneri Cristian Panucci mori përgjigjet e kësaj humbjeje që bën të bien këmbanat për Ligën e Kombeve në shtator./TCH
Fraksion.com