Life StyleTë fundit

Sa dhe si e reflekton fytyra shëndetin tonë

Lëvizjet, shprehjet e fytyrës, mimika etj., janë një pasqyrë e shëndetit tonë dhe gjithashtu ato mund të parashikojnë rrezikun e vdekjes. Ja se çfarë duhet të dini

Nëse sytë janë pasqyrë e shpirtit, fytyra duket të jetë pasqyrë e shëndetit tonë. Kjo është sugjeruar nga një studim i publikuar në revistën “Epidemiology” dhe i kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Princeton.

Në këtë studim kanë marrë pjesë 1.200 vullnetarë. Ata janë vëzhguar nga tiparet e fytyrës nëpërmjet të cilave studiuesit kanë vlerësuar gjendjen e shëndetit të tyre. Pjesëmarrësit në studim ishin intervistues ose anketues dhe jo profesionistë të shëndetit. Ata u zgjodhën sepse, kush praktikon këtë punë ka mundësinë të takojë shumë persona dhe të ketë kohë për të vëzhguar me kujdes fytyrën e të intervistuarve.

Të trajnuar në mënyrën e duhur, detyra e tyre ishte të vlerësonin gjendjen shëndetësore dhe të parashikonin mundësinë e vdekjes së të anketuarve në bazë të tipareve të fytyrës (praninë e rrudhave apo dhe shenjave të tjera dalluese të moshës), aftësisë së të shprehurit, lëvizshmërisë, shprehjeve verbale dhe zhdërvjelltësisë.

Në fund të studimit, sapo informacioni qe mbledhur, surpriza për studiuesit ishte se këto vlerësime (sidomos në parashikimin e vdekjes) ishin më të sakta se ato të bëra nga mjekët apo nga palët e interesuara për veten e tyre.

“Fytyra dhe trupi ynë tregojnë shumë për jetën tonë. Ne supozojmë se një pasuri e informacionit mbi shëndetin e një personi është e reflektuar në fytyrë, në lëvizjet, në të folurën dhe në aftësinë e tij, si dhe në informacionin e mbledhur në mënyrë eksplicite gjatë intervistave”, thotë Norin Goldmen (Noreen Goldman), bashkautorja e studimit në fjalë.

Pra në thelb fytyra jonë është detektor i asaj se si jemi ne në të vërtetë. Kini parasysh që nëse keni rrathë poshtë syve dhe shenja të tjera në hartën e fytyrës suaj, dijeni se ajo po përpiqet t’ju bëjë të ditur dhe t’ju komunikojë shqetësimet e organeve tuaja.

Rrudhat në fytyrë tregojnë për shumë karakteristika të shëndetit apo të stresit që po kalojmë.

Ekspertët “lexojnë” dhe interpretojnë tipin e rrudhave, shenjat e thella dhe ato pak më të dukshme në fytyrë. Sipas tyre bëhet fjalë për sinjale stresi dhe kambana alarmi për shëndetin.

Shenjat e thella në fytyrë, së pari janë një tregues i gjumit të pakët.

Rrudhat shfaqen nëse flihet për një kohë të gjatë në të njëjtin pozicion.

“Shenjat në fytyrë dhe qafë tregojnë se është më mirë të ndryshosh më shpesh pozicionin gjatë kohës që pushon”, shprehen kirurgët.

Lëkura e lodhur, e shuar dhe e mbuluar me rrudha është një tregues edhe i faktit që në shtëpi gatuhet dhe hahet shumë pak. Edhe ajo që hamë influencon mbi shëndetin tonë.

“Të hash fast-food apo në restorant gjatë pushimit të drekës nuk të jep mundësinë të njohësh mirë përbërësit e vaktit që po ha. Kjo të çon automatikisht drejt kequshqyerjes. Për të pasur një lëkurë të shëndetshme do të ishte mirë të gatuanit në shtëpi sa më shumë të keni mundësi”, vazhdojnë ekspertët.

Ndërkaq, kujdes i veçantë duhet pasur edhe ndaj rrezeve diellore. Nëse rrudhat dhe njollat vazhdojnë të shfaqen në fytyrë pavarësisht se gjatë verës përdorni kremrat e duhura, specialistët tregojnë se kjo do të thotë që dëmet tashmë janë të mëdha dhe se kjo mund të provokojë krijimin e tumoreve të lëkurës.

Për këtë arsye mjekët këshillojnë të mbani gjithnjë me vete një krem hidratues me filtra diellorë (SPF) dhe ta vendosni në fytyrë disa herë gjatë ditës, kudo që të ndodheni.

Gjithsesi, nëse vini re diçka të dyshimtë më e mira është që të konsultoheni me mjekun për një orientim më të specializuar.

Por kujdes duhet të bëni me higjienën, kjo është gjëja e parë që duhet të kontrolloni vazhdimisht.