AktualitetNATO/BETë fundit

NATO hap dyert e selisë së re për AA

Ndërtesa e re e NATO-s është projektuar në atë mënyrë që nëse shikohet nga lartë ngjason në gërshetim gishtash

 

NATO, i ka hapur dyert e selisë së saj të re në Bruksel për Anadolu Agency (AA), në të cilën u vendos me kapacitet të plotë muajin e kaluar dhe ndërtimi i së cilës ka vazhduar për 8 vite.

Shefi i programit në selinë e re të NATO-s, Bogdan Lazaroae, në deklaratën për AA tha se NATO që nga zhvendosja e selisë së saj nga Parisi në Bruksel në vitin 1967 numri i anëtarëve është rritur nga 15 në 29 dhe se është rritur pothuajse për 2 herë.

Ai rikujtoi se pasi që ish-ndërtesa e selisë ka qenë e pamjaftueshme në aspektin logjistik, aleatët në vitin 1999 kanë marrë vendimin për të kaluar në një ndërtesë të re.

Pritet që ndërtesa e vjetër t’i kthehet qeverisë së Belgjikës në fund të vitit 2019.

Kostoja e ndërtesë mbulohet nga aleatët

Selia, ndërtimi i së cilës zgjati 8 vite, kushtoi 1.17 miliardë dollarë. Kostoja e ndërtesës mbulohet me kontributin e aleatëve të NATO-s. Në këtë kuadër kontributin më të madh e kanë dhënë SHBA-të ndërsa më pak Islanda.

Selia e cila është ndërtuar në hapësirën ku ishte aeroporti i parë ndërkombëtar i Belgjikës, u ndërtua nga shteti belg. Gjatë periudhës së ndërtimit, në ditë mesatarisht punuan 4.000 persona. NATO paguan një qira simbolike për tokën dhe është pronare e ndërtesës.

Ajo është e ndërtuar në një sipërfaqe prej 254 mijë metra katrorë. Në të gjenden 1.365 zyra, në mesin e të cilëve edhe Zyrat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, sekretariatit dhe delegacioneve kombëtare, ndërsa punojnë 4.200 perosona. Ndërtesa pritet që të jetë nikoqire e rreth 5.000 mbledhjeve në vit ndërsa në ditë vizitohet nga më shumë se 500 persona.

Selia gjithashtu ka një hyrje e cila shërben si vend i mbledhjes së quajtur “Agora”, 18 salla të konferencës, qendra e shtypit, sekretariat, objekte sociale dhe përfaqësitë diplomatike dhe ushtarake të 29 delegacioneve kombëtare. Një person i cili punon në NATO, për punët rutine ditore duhet të ec në këmbë mesatarisht 6 kilometra në sipërfaqen e madhe përafërsisht sa 2.5 fusha të futbollit

Salla e konferencave “Room One” e cila llogaritet si “zemra” e selisë së re, është duke u bërë nikoqire e mbledhjeve të krerëve shtetërorë dhe qeveritarë, minstrave dhe ambasadorëve. Salla është pajisur me teknologji të lartë, ofron mundësi për përkthime në 17 gjuhë të ndryshme dhe telekonferenca me zyrtarë të NATO-s që janë në vende të ndryshme të botës. Në sallë, përfshirë krerët shtetërorë askush nuk mund të fus pajisje elektronike.

Ndërtesë e “gjelbër” pajisur me xham

Një nga aspektet që tërheq vëmendje më së shumti për selinë e re të NATO-s është se e gjithë ndërtesa është mbuluar me xham.

Për pastrimin e selisë së pajisur me xham prej gjithsej 72 mijë metra katrorë janë emëruar persona të cilët kanë marrë trajnim për ngjitje në male.

Lazaroae mbulimin e ndërtesës me xham e përshkruan si “transparencë”, e cila është një ndër parimet themelore të Aleancës.

Ai duke tërhequr vëmendjen në atë se janë marrë masat e nevojshme që përdorimi i xhamit të mos shkaktojë dobësi të sigurisë, tha se ndërtesa është nën mbrojtje ndaj çdo lloj i kërcënimit të sigurisë që mund të vijë nga brenda ose jashtë.

Pritet që xhamat e mëdhenj të selisë së re në të njëjtën kohë të zvogëlojnë përdorimin e energjisë elektrike duke përdorur dritën natyrale dhe kështu të kursejë 30 për qind më shumë energji se sa ndërtesa e vjetër.

Me sistemet e veçanta të instaluara në dhomat e ndërtesës e cila është lançuar si miqësore për mjedisin, dritat fiken në mënyrë automatike nëse zbulohet se nuk ka aktivitet ndërsa niveli i dritës zvogëlohet ose zmadhohet në varësi me dritën që vjen nga jashtë.

Ndërtesa “smart” është gjithashtu e pajisur me sistem të ngrohjes dhe ftohjes gjeotermale. Në të njëjtën kohë ujin nga shirat mund ta grumbullojë në një depo të veçantë. Kështu që parashikohet 90 për qind e ujit për pastrim dhe për përdorimin e banjove të sigurohet në këtë mënyrë.

Dizajn simbolik

Ndërtesa e re e NATO-s është projektuar në atë mënyrë që nëse shikohet nga lartë ngjason në gërshetim gishtash. Arkitekti kryesor i selisë, Jo Palma, tha se dizajni thekson unitetin dhe bashkëpunimin mes aleatëve të NATO-s.

Ndërsa marrëveshja e themelimit të NATO-s që ndodhet në hyrje të ndërtesës parashikon që t’u rikujtojë aleatëve gjithmonë qëllimin e themelimit të Aleancës./AA

 

Fraksion.com