Kosovë: Diplomatët amerikanë reagojnë ndaj incidentit të së hënës në Klinë
Ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott dhe ai në Prishtinë, Greg Delawie, thanë të martën se ripajtimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm.
Komentet e tyre pasuan zhvillimet e një dite më parë në fshatin Poterq të komunës së Klinës, rreth 50 kilometra në perëndim të Prishtinës, gjatë një proteste të banorëve shqiptarë kundër vizitës së një grupi qytetarësh serbë në këtë fshat.
Policia e Kosovës ndërhyri për të shpërndarë një grup prej rreth 50 protestuesish që kishin bllokuar hyrjen në fshatin ku një grup prej 50 qytetarësh serbë qëndroi për të shënuar një kremte fetare. Driton Rugova, nga policia rajonale e Pejës, i tha Zërit të Amerikës se tubimi i serbëve kishte qenë i paralajmëruar më herët, prandaj policia ndërhyri për ta mundësuar mbarëvajtjen e tij.
Banorët shqiptarë thonë se në atë fshat në luftën e vitit 1999 janë vrarë 15 shqiptarë, prandaj vizitën e cilësuan si një provokim që përsëritet nga viti në vit.
Policia tha se një pjesëtar i grupit serb është goditur më një mjet të fortë gjatë protestës dhe “është dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor”. Gjendja e tij është e qëndrueshme, sipas policisë.
Banorët shqiptarë, sipas policisë, kanë identifikuar një pjesëtar të komunitetit serb “si të dyshuar për masakrën e 29 marsit të vitit 1999”. Ai është shoqëruar në polici për “verifikim të mëtutjeshëm” dhe më pas është liruar.
Zyrtarë të Beogradit por edhe të Listës serbe, që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, e dënuan incidentin në fshatin Poterq, duke kërkuar nga autoritetet e Prishtinës që të mos lejojnë raste të tilla në të ardhmen.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie shkroi në rrjetin social twitter se “qytetarët e Kosovës duhet t’i përkushtohen të ardhmes. Të kthyerit duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë të sigurt. I kënaqur që policia e Kosovës e menaxhoi incidentin, por ai nuk ishte i nevojshëm. Dhuna nuk është përgjigje. Përpjekjet serioze për ripajtim janë të nevojshme për të përmbushur synimet e Kosovës”, thuhet në postim.
Ndërsa ambasadori Scott shkroi se “incidenti i djeshëm në Poterq vë në pah nevojën për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do t’u siguronte banorëve serbë lirinë e pjesëmarrjes në jetën politike, shoqërore e fetare në Kosovë pa frikë për sigurinë”.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur dhjetë vjet ë parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane./VOA
Fraksion.com