Gazsjellësi Trans Adriatik mbi 72 për qind i përfunduar
TAP është një gazsjellës ndërkufitar 878 kilometra i gjatë, i cili është në ndërtim e sipër, që shtrihet nga kufiri greko-turk për të kaluar në Greqi, Shqipëri dhe Detin Adriatik për në Itali
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është përfunduar më shumë se 72,5 për qind deri në fund të prillit të këtij viti, duke përfshirë gjithë inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin, tha Lisa Givert, shefja e komunikimit në projektin TAP.
Givert tha për Anadolu Agency (AA) se projekti TAP po vazhdon sipas planit.
TAP është një gazsjellës ndërkufitar 878 kilometra i gjatë, i cili është në ndërtim e sipër, që shtrihet nga kufiri greko-turk për të kaluar në Greqi, Shqipëri dhe Detin Adriatik për në Itali. Në pikën e hyrjes, TAP do të lidhet me Gazsjellësit Trans Anatolian (TANAP) në Turqi.
Givert njoftoi se në Greqi deri në mes të muajit maj, 539 kilometra të rrugës së tubacionit është pastruar, rreth 525 kilometra të gypave janë lidhur, mbi 514 kilometra janë salduar, 434 kilometra të rrugës është rimbushur dhe rreth 331 kilometra janë duke u rikthyer në gjendjen e mëparshme.
“Në Shqipëri, rreth 193 kilometra janë pastruar dhe niveluar përgjatë rrugës, 186 kilometra të tubacionit është lidhur, 180 kilometra janë salduar dhe rreth 162 kilometra janë rimbushur. Rreth 120 kilometra janë duke u rikthyer në gjendjen e mëparshme”, tha Givert.
“Kjo do të thotë se në mes të Greqisë dhe Shqipërisë, TAP ka pastruar dhe niveluar 95 për qind të korridorit të saj, rreth 733 nga 765 kilometra. Përveç kësaj, kemi salduar 90 për qind të gypave të çelikut dhe rreth 78 për qind të tubave tashmë janë nën tokë”, shtoi ajo.
Givert vuri në dukje se progresi në Itali aktualisht përfshin aktivitetet e lejes së dytë në përputhje me lejen fillestare të Ministrisë së Ekonomisë të dhënë më 20 maj 2015.
“Kontraktori i TAP-it, Saipem, aktualisht po punon në zonën e mikro-tunelit. Pas përfundimit të shumicës së punëve përgatitore, ata tani janë gati të përfundojnë gërmimin e gropës, në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i mikro-tunelit”, tha ajo.
Kompania e projektit TAP AG është konstruktori, pronari dhe operatori i projektit. Partnerët e projektit përfshijnë BP (U.K.), Snam SpA (Itali), Kompania e Korridorit Jugor të Gazit (Azerbajxhan), ku secila zotëron 20 për qind të aksioneve. Fluxys SA (Belgjikë) ka një pjesëmarrje prej 19 për qind, Enagas (Spanjë) ka 16 për qind interes dhe Axpo Trading (Zvicër) ka një pjesëmarrje prej 5 për qind./AA
Fraksion.com