Ekonomi

Anti-droga: Operacion i përbashkët greko-shqiptar

Policia shqiptare dhe ajo greke thanë se zhvilluan një operacion të përbashkët policor anti-drogë në zonën kufitare mes të dy vendeve në rrethin e Sarandës.

Shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi i veprimeve solli, sipas policisë shqiptare, goditjen e një tjetër rasti të trafikut të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Sipas burimeve zyrtare policore shqiptare gjatë patrullimit në kufirin jeshil, në anën shqipatre u zbuluan disa persona të cilët po transportonin çanta të dyshuara me lëndë narkotike në drejtim të piramidave të kufirit.

Policia Kufitare shqiptare e Livadhjasë ka kontaktuar me Policinë e Igumenicës, të cilët janë vënë në lëvizje duke mbajtur në monitorim zonën. Falë shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, në zonë e Filatit në Greqi , policia greke e Igumenicës kapi 2 shtetas grekë, banues në Trikalla dhe në Athinë, të cilët transportonin me një mjet “Mercedes”, të marrë me qira rreth 198 kilogramë lëndë narkotike. Policia shqiptare tha se po bashkëpunohet me palën greke për të identifikuar dhe kapur shtetasit shqiptarë që dyshohet se u kanë shitur lëndën narkotike dy shtetasve grekë.

Greqia vazhdon të jetë destinacioni i dytë pas Italisë i kalimit të sasive të mëdha të marijuanës që është kultivuar gjatë viteve të shkuara në Shqipëri. Trafikantët në të dy vendet përdorin rrjetet e korrirerëve që e transportojnë me çanta lëndën narkotike në kufirin e gjelbër. Më pas transportues të tjerë realizojnë trafikimin e drogës për në thellësi të Greqisë dhe kryesisht drejt Athinës apo zonave të largëta të ishujve turistikë grekë. Policitë kufitare të të dy vendeve kanë vendosur ngritjen në Pikën e Kakvijës të një qendre operacionale informimi që do ti bënte operacionet e përbashkëta më të koordinuara dhe më efikase në luftën ndaj krimit ndërkufitar.

 

Fraksion.com