Alfred Peza: Recetë për t’ia lënë Edi Ramës, dështimin në derë
Më 28 qershor, në Bruksel mblidhet Këshilli Europian, ku pritet të vendoset fati i mëtejshëm i procesit të zgjerimit të BE dhe i aspiratës së gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor, për tu bërë pjesë e tij. Në takimin e Kryeministrave dhe krerëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, Shqipëria dhe Maqedonia presin që të marin PO-në e madhe të çeljes së negociatave të anëtarësimit, pas rekomandimit pozitiv që dha për këtë, Komisioni Europian.
Nga sot e deri atëherë, procesi i negocimit për Tiranë dhe Shkupin do të vijojë në mënyrë bilaterale me secilin prej vendeve anëtare të Unionit. Shqipëria duket se ka lënë pas skepticizmin e Gjermanisë tashmë dhe ka ende punë për të bërë me Holandën, por mbi të gjitha me Francën e Macron.
Kryeministri e ministri ynë i Jashtëm, Kryetari i Parlamentit, Presidenti dhe lideri i opozitës janë aktorët kryesorë të kësaj axhende negociatash. Por, në fund të fundit, mbi kokën e shefit të mazhorancës ose do të vendoset kurora e fitores, ose mbi të janë mprehur e vazhdojnë të mprihen pa ndërprerje që tani, majat e shigjetave që pritet të nisen papushim, nga ana e kampit opozitar.
Në Maqedoni, këtij procesi i parapriu vendimi i Gjykatës Themelore të Shkupit, për dënimin me 2 vjet burg të ish Kryeministrit Nikola Gruevski, lidhur rastin e blerje me një çmim prej 580 mijë eurosh të një makine Mercedes Benz, me paratë e buxhetit të ministrisë së Brendshme. Kjo duket se e ka ndihmuar klimën politike që të mos ketë zëra kundër në planin e brendshëm. E vetmja pengesë mbetet ajo në raport me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë. Një pengesë që duket tashmë vetëm çështje ditësh, që të zgjidhet.
Ndërsa në Shqipëri, ndër tri grup- çështjet kryesore që diktojnë këtë proces, si; reformat për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe; marrëdhëniet me fqinjët ku me Greqinë ato janë drejt zgjidhjes; e fundit, ka të bëjë me funksionimin e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita ndryshe nga sa pritej, në vend të frymës konstruktive të dialogut apo të një pakti paqeje të përkohëshme, për hir të një çështje kaq madhore sa ëështë çelja e negociatave të Shqipërisë me BE, ka zgjedhur alternativën e luftës.
Një alternativë që kulmoi në fazën e saj të parë me mitingun e 26 majit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe që pritet të vijojë me protestat e reja deri në 28 qershor. Synimi nuk fshihet më dhe është shumë i qartë: Rrëzimi i qeverisë Rama. Me arsyetimin cinik që e shoqëron atë: Për të ndihmuar në çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE?! Sepse sipas PD, LSI dhe aleatëve të saj, shqiptarët e meritojnë Europën, por jo me Edi Ramën, por me një qeveri të drejtuar prej tyre! Dhe se këtë, nuk e bëjnë se duan pushtet për vete,- siç deklaroi Lulzim Bashan në fjalimin e mitingut të së shtunës. Përkundrazi. Të gjithën këtë e bëkërkan, vetëm për popullin dhe në emër të tij.
Dakord. Le ta marim si të mirëqenë se të gjitha qëllimet e kësaj sjellje të opozitës sonë, nuk kanë lidhje me ato që thotë Edi Rama. Pra, me frikën nga reforma në drejtësi, me zbatimin e një projekti prej “Esadistësh të rinj”, me minimin në metrat e fundit të përpjekjeve më shumë se çerek shekullore për çeljen e negociatave. Le të besojmë pa asnjë paragjykim dhe me idealizëm të pastër, tek qëllimet shumë të larta të udhëheqësve të opozitës sonë.
Atëherë pyetjen që shtrohen janë dy:
Nëse negociatat hapen, a do e kërkojë ajo edhe pas kësaj, rrëzimin e Edi Ramës?
Nëse negociatat nuk hapen siç edhe parathonë liderët e minorancës, atëherë pse nuk ia lënë Kryeministrit pataten e nxehtë të dështimit në dorë, duke bashkëpunuar me të dhe qeverinë e tij, deri më 28 qershor?
Një muaj nuk është asgjë në jetën e një njeriu dhe as të një opozite. Le të jetë ky muaji i dështimit të qeverisë së Edi Ramës, derisa Bruskeli të refuzojë çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. E pas kësaj, opozita me gjithë të drejtën e saj, le të dalë në rrugë, të bëjë protesta derisa ta rrëzojë atë nga pushteti. Duke patur moralin në anën e vet dhe dështimin e qeverisë në anën tjetër, qëllimi i liderëve të opozitës arrihet shumë më kollaj pas kësaj.
Duroni edhe pak. Sepse vetëm 30 ditë kanë mbetur. Kaq sacrifice, mirë për Shqipërinë por të paktën për vete, nuk e bëjnë dot?!/alpenews.al
Fraksion.com