AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Protestë kundër pelegrinëve serbë në një fshat të komunës së Klinës

Policia e Kosovës tha se një pjesëtar i komunitetit serb është lënduar në fshatin Poterq të komunës së Klinës, rreth 50 kilometra në perëndim të Prishtinës, gjatë një proteste të banorëve shqiptarë kundër vizitës së një grupi qytetarësh serbë në këtë fshat.

Policia ndërhyri për të shpërndarë një grup prej rreth 50 protestuesish që kishin bllokuar hyrjen në fshatin ku një grup prej 50 qytetarësh serbë qëndroi për të shënuar një kremte fetare.

Driton Rugova, nga policia rajonale e Pejës, i tha Zërit të Amerikës se tubimi i serbëve kishte qenë i paralajmëruar më herët, prandaj policia ndërhyri për ta mundësuar mbarëvajtjen e tij.

Banorët shqiptarë thonë se në atë fshat në luftën e vitit 1999 janë vrarë 15 shqiptarë, prandaj vizitën e cilësojnë si një provokim që përsëritet nga viti në vit.

Policia tha se një pjesëtar i grupit serb është goditur më një mjet të fortë gjatë protestës dhe “është dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor”. Gjendja e tij është e qëndrueshme, sipas policisë.

Banorët shqiptarë, sipas policisë, kanë identifikuar një pjesëtar të komunitetit serb “si të dyshuar për masakrën e 29 marsit të vitit 1999”. Ai është shoqëruar në polici për “verifikim të mëtutjeshëm”.

Zyrtarë të Beogradit por edhe të Listës serbe, që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, e dënuan incidentin në fshatin Poterq, duke kërkuar nga autoritetet e Prishtinës që të mos lejojnë raste të tilla në të ardhmen.

 

Fraksion.com