AktualitetBota+Të fundit

Kolumbi: Zgjedhjet presidenciale drejt balotazhit

Zgjedhjet presidenciale të diskutueshme por paqësore të Kolumbisë duket se do të shkojnë drejt një balotazhi mes një ish-përfaqësuesi të rebelëve të majtë dhe një konservatori i cili synon të rishkruajë marrëveshjen e paqes me rebelët.

Ndërsa procesi i numërimit po shkon drejt fundit, ish-senatori konservator Ivan Duque pritet të marrë rreth 39 për qind të votave, pasuar nga Gustavo Petro me 25 për qind.

Kandidati i djathtë, një mbështetës i biznesit, bëri fushatë me premtimin për të rishkruar marrëveshjen e paqes me FARC-un,(Forcat Revolucionare të Kolumbisë), duke e konsideruar atë si shumë të butë. Sipas tij ish-komandantët e lëvizjes guerilase duhet të jenë në burg dhe jo në parlament.

Zoti Duque ka premtuar gjithashtu të ulë taksat e koorporatave si një mënyrë për të stimuluar ekonominë.

Kandidati tjetër Gustavo Petro është një ish-anëtar i grupit të shpërbërë M19 dhe një përkrahës i marrëveshjes së paqes me FARC-un.

Premtimet e tij për rigjallërim të ekonomisë, rishpërndarje të pasurisë, e kanë bërë atë të preferuar për klasën punëtore, por kanë tronditur elitën e vendit.

Asnjë kandidat nuk pritet të marrë 50 për qind të votave të nevojshme për të shmangur një balotazh në 17 qershor.

Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se procesi u zhvillua “normalisht” me një pjesëmarrje të lartë në disa nga qytetet e mëdha të vendit./VOA

 

Fraksion.com