Deputeti gjerman Mark Hauptman, në Tiranë: Të hapen negociatat me Shqipërinë
Politikani dhe deputeti i CDU-së së Angela Merkelit, Mark Hauptman, i ka kërkuar kolegëve të tij të Bundestagut të mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE.
Pas vizitës së tij në Tiranë, ku është takuar me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Haptman tha se Shqipëria duhet lejuar të vijojë rrugën e reformave që ka nisur pej kohësh.
“Unë qëndrova dy ditë në Shqipëri për të parë nga afër zhvillimet dhe gjendjen aktuale të vendi tuaj. Ne kemi investuar 1 bilion euro në 30 vjet dhe kjo tregon interesin që ka Gjermania për Shqipërinë dhe për ta mbështetur edhe në integrimin evropian” – tha Hauptman i pyetur nga gazetarët. Ai bëri një krahasim me bashkimin mes dy Gjermanive. ‘Gjermania, kur është e bashkuar ka bërë gjëra të mëdha dhe më parë ka pasur një vëlla të madh si Gjermania Perëndimore. Shqipëria nuk ka pasur një vëlla të madh, por unë kam parë progresin e madh që ka bërë vendi për integrimin në BE. Qeveria ka një agjendë reformash, si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar. Shqipëria është një partner për ne dhe duam ta mbështesim për më tej”.
Megjithatë, Hauptman, pranoi se në Gjermani dhe BE ka deputetë që janë spektikë për çeljen e negociatave.
“Brenda BE-së ka debate për zgjerimin dhe për integrimin e vendit tuaj në BE, unë jam i mendimit që duhet të hapen negociatat me Shqipërinë, sepse për ne ky konsiderohet si fillimi i reformave, ndaj unë ia këshilloj kolegëve të mi të japin rekomandimin për çeljen e negociatave. Dëshiroj ta mbështes fuqishëm Shqipërinë në rrugën e saj në BE, duke kërkuar dhe mbështetjen e kolegëve tanë”, – nënvizoi Hauptman.
Fraksion.com