Çfarë ka vendosur PD? Bojkoti rrezikon integrimin: Ja deri kur vijojnë protestat
Pas mbledhjeve të grupit parlamentar të PD-së dhe LSI u vendos që protestat të vijojnë deri më 28 qershor. Mësohet se në mbledhjet e dy grupeve u diskutua edhe në lidhje me bojkotimin e seancave plenare, por në fund ata vendosën që të mos bojkotojnë.
Ndërkohë ata do të vazhdojnë me denoncimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllait të tij Agron Xhafaj.
Në fjalën e tij, para deputetëve, Basha deklaroi se bojkoti i parlamentit deri në shkarkimin e Xhafaj që u propozua nga shumica e deputetëve është plotësisht legjitim dhe më i natyrshmi në këto rrethana politike.
Por gjatë mbledhjes u vendos që beteja e opozitës të vijojë në Kuvend dhe në komisione parlamentare.
Kryedemokrati shtoi se, lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur opozita është investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore, që qeveria është e lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
“Mendoj se duhet të përdorim të gjitha format dhe mënyrat demokratike si opozitë me grupin parlamentar, për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë se largimi i Fatmir Xhafaj është kusht i panegociueshëm i opozitës dhe veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave”, u shpreh Lulzim Basha.
Ai këmbëngul që Xhafaj duhet të largohet nga posti i Ministrit të Brendshëm për t’i hapur rrugë një hetimi të pavarur. “Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe të hapë rrugën për një hetim të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Lufta kundër krimit dhe drogës është një kusht kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, plotësimi i të cilit po vazhdon t’i kërkohet me forcë qeverisë shqiptare nga qeveritë europiane”, ka thënë më tej.
Fraksion.com