Sistemi universitar francez, joselektiv
Francë, studentët më të papërgatitur, synojnë të diplomohen në degën e matematikës. Pse Emmanuel Macron ka të drejtë të përpiqet që të reformojë universitetet franceze
“Është si organizimi emergjent për të shpëtuar të gjithë njerëzit që janë në një anije që po mbytet dhe duke u përpjekur që të merret vesh sa më parë të jetë e mundur se cilët janë ata që dinë të notojnë”, e përshkruante Alain Peyrefitte, asokohe ministër i Arsimit në Francë, sistemin arsimor joselektiv të vendit të tij për të rekrutuar studentë që do të fillonin universitetin gjysmë shekulli më parë, shkruan The Economist. Ministri Peyrefitte shpresonte ta ndryshonte sistemin duke e bërë atë sa më përzgjedhës.
Por ai, jo vetëm që nuk pati sukses, por edhe nxiti kryengritjen e studentëve në maj të 1968-s. Në ditët e sotme, edhe Presidenti Emmanuel Macron, i cili po tenton të zbatojë një reformë të ngjashme, ka shkaktuar daljen e mijëra studentëve në rrugët e Francës, duke krijuar një tablo të ngjashme me atë të viteve ’68. Por Presidenti francez ka plotësisht të drejtë të kërkojë të reformojë sistemin arsimor, sepse modeli aktual është joefikas, i pabarabartë, duke mos i krijuar të njëjtat mundësi të gjithë studentëve.
Napoleon kush?
Diploma “baccalauréat” u jepet të gjithë nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme dhe pa të cilën askush nuk mund të vazhdojë studimet e larta. Ky model u prezantua në fillim të viteve 1808 nga Napoleon Bonaparti. Shumë vite më pas, në 1950, vetëm 5% e nxënësve arritën të merrnin diplomën e mbarimit të shkollës së mesme të njohur me termin “baccalauréat”. Kjo gjë ka ndryshuar rrënjësisht në ditët e sotme, ku pothuajse të gjithë nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme arrijnë që të marrin diplomën “baccalauréat” dhe sipas të dhënave të fundit në vitin 2016, rreth 80% e nxënësve që mbaruan shkollën e mesme arritën ta merrnin atë.
Megjithatë, edhe në ditët e sotme si në të kaluarën, të gjithë ata nxënës që arrijnë ta marrin atë diplomë u jepet e drejta për të vazhduar studimet e larta në degën që dëshirojnë. Kështu, për shembull, edhe studentët me njohuri shumë të pakta matematikore, nëse duan mund të vazhdojnë studimet e tyre në degën e matematikës, apo edhe ata që kanë fare pak ose aspak njohuri për historinë e vendit të tyre mund të studiojnë për degën e historisë. Duke qenë se tarifat e universiteteve shtetërore në Francë janë shumë të ulëta dhe po ashtu edhe taksat, mesatarisht rreth 189 euro ose 227 dollarë amerikanë në vit, askush nuk mund të çuditet nga mbingarkesa e universiteteve.
Gjatë fillimit të çdo viti akademik, sallat e auditorëve tejmbushen me mbi 1000 studentë, ndërkohë kujtojmë që ato janë projektuar për të mirëpritur afërsisht rreth 100 studentë. Puna vështirësohet edhe për profesorët, të cilët me një numër kaq të madh studentësh nuk mund t’u japin ndihmën e tyre të gjithë atyre që kanë nevojë. Pjesa më e madhe e studentëve nuk arrijnë që të kalojnë në vitin e dytë, por shumë prej tyre nuk dorëzohen duke i ridhënë provimet aq herë sa u lejohet. Në total, rreth 70% e studentëve që hyjnë në universitet nuk arrijnë që të marrin një diplomë universitare brenda tre viteve akademike. I njëjti sistem funksionon edhe në Itali dhe në disa shtete të Amerikës Latine.
Edhe pse për shumë mund të përbëjë çudi, ky model sistemi i arsimit të lartë ka gjetur mbështetje të madhe në Francë, prandaj z. Macron po përpiqet që ta reformojë atë dalëngadalë, në mënyrë që të mos përballet me protesta nga ata që e mbështesin. Sipas Presidentit Macron, të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin studimet në një degë të caktuar duhet të kenë disa njohuri, të paktën bazike, për atë degë. Por kundërshtarët e kësaj reforme dyshojnë te çdo kusht. Ai propozon që universitetet t´u kërkojnë atyre që dëshirojnë të studiojnë një diplomë të caktuar për të pasur disa njohuri themelore të lëndës. Por kundërshtarët e reformës dyshojnë (ndoshta me të drejtë) se çdo kusht i vënë për pranim në universitete, do të çojë në vendosjen e më shumë rregullave të rrepta, arsye kjo për të cilën shumë studentë dhe kundërshtarë të reformës kanë dalë në rrugë për ta kundërshtuar.
Tejmbushja e universiteteve shtetërore me studentë që kurrë nuk do të jenë në gjendje të mbarojnë studimet e tyre nuk është një përdorim i mirë i parave të taksapaguesve. Por sistemi është gjithashtu i padrejtë. Ai u krijon mundësinë studentëve që jo vetëm të hyjnë në universitet, por edhe i nxit ata që të mbarojnë vitin e parë apo edhe të tria vitet e bachelor-it, duke shkuar pas një ëndrre, e cila nuk do të ketë mundësi për t’u bërë realitet. Gjithsesi, një prej avantazheve të këtij sistemi është se ai ofron mundësi për të pasurit dhe të zgjuarit, përmes një sistemi elitar që lulëzon në krahasim me atë publik.
Rreth 8% e nxënësve shkojnë në disa prej universiteteve më të përzgjedhura elitare. Rreth 18% e studentëve të tjerë ndjekin universitetet private. Dhe ka shumë prej tyre që mund të përballojnë studimet në një universitet jashtë vendit, duke e renditur Francën në një nga shtetet me numrin më të madh të studentëve që studiojnë jashtë vendit. Në një studim të fundit të kryer nga Studyportals.com, studentët francezë ishin ndër më të kënaqurit ndër të gjitha shtetet e mëdha europiane, për sa i përket kohës gjatë studimeve të tyre jashtë vendit, ndërsa të huajt që studiojnë apo kishin studiuar në Francë ishin ndër më pak të kënaqurit në krahasim me vendet e tjera për sistemin e arsimit të lartë. Për shkak se rreziku i një reagimi të ashpër është i madh, z. Macron po tregohet i zgjuar dhe prandaj po i bën lëvizjet e tij ngadalë, hap pas hapi. Por nëse ai do ta bëjë sistemin e arsimit të lartë francez më efikas dhe më të drejtë, ai duhet të ketë sukses në hapat e parë dhe më pas të mundohet që të ndërtojë diçka edhe më të mirë.
Amerika nuk është një shembull suksesi për t’u ndjekur në lidhje me arsimin e lartë. Sistemi i saj është shumë përzgjedhës për të gjitha nivelet më të larta dhe thuajse aspak përzgjedhës për sa i përket zgjedhjes së studentëve që duhet të pranohen në universitet apo jo, duke arritur në një numër të lartë studentësh që braktisin universitetet që në vitin e parë. Sistemi i arsimit të lartë të Britanisë dhe Australisë, me numrin më të lartë të universiteteve selektive dhe normën më të ulët të studentëve që braktisin universitetet, janë ndoshta modelet më të mira për t’u marrë si shembull. Por fatkeqësisht do të duhet të kalojë një kohë e gjatë përpara se Franca të jetë gati për atë lloj revolucioni në sistemin e arsimit të lartë./Monitor
Fraksioncom