Tregu i kriptomonedhave, si të rregullohet
Avantazhet dhe disavantazhet e monedhës dixhitale. Cilat janë tre pyetjet kryesore që duhet t’u përgjigjen rregullatorët e aseteve dixhitale
Gara e vrullshme, mesa duket, është qetësuar. Disa prej spekulatorëve gjatë vitit të kaluar e çuan çmimin e kriptomonedhve në nivele shumë të larta, shkruan The Economist.
Vlera e bitcoin, më e njohura ndër to, thuajse është përgjysmuar. Por gjithsesi, vrulli që shihet pas gjithë këtyre kriptomonedhave vazhdon të jetë ende i fuqishëm. Bitcoin vazhdon të ketë ende një vlerë shtatë herë më të lartë se një vit më parë.
Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas Coin Desk, një agjenci lajmesh për të rejat më të fundit të kriptomonedhave, tha se 6.3 miliardë dollarë u grumbulluan përmes ofertave fillestare të monedhave, një formë financimi në të cilën firmat lëshojnë një monedhë virtuale që njihet me termin “token”, vlerë më e lartë se gjatë të gjithë vitit 2017. Muajin e kaluar, Raporti i huasë së Studentëve, një faqe online, zbuloi se një në pesë studentë amerikanë që u pyetën, ishin përfshirë nga ky vrull i kriptomonedhave duke investuar një pjesë të huasë së tyre.
Nuk është aspak çudi fakti që rregullatorët duan të kenë kontroll më të madh mbi sferën e kriptomonedhave. Mundësia për të mbledhur para nëpërmjet ofertës fillestare të monedhës ka përfshirë në rrethin e saj si njerëz të thjeshtë ashtu edhe sipërmarrës të suksesshëm. Kreu i Europolit, ka vlerësuar se 3-4% e të gjithë precedentëve kriminalë në këtë kontinent kanë burim pikërisht kriptomonedhat, të cilat janë shndërruar gjithashtu edhe në burim pastrimi parash.
Janë të shumtë ata që mendojnë se vendosja e rregullave të ndryshme në këtë sistem do të ndihmonte jo vetëm në legjitimimin e saj, por edhe në shmangien e të gjithë këtyre precedentëve kriminalë. Megjithatë, entuziastët e kriptomonedhave kanë të drejtë të frikësohen ndaj faktit se rregullimi i tepruar, si në rastin e ndalimit të Kinës të shkëmbimeve kriptografike dhe ofertës fillestare të monedhës, mund të shkaktojnë fundin e një teknologjie premtuese.
Për të arritur ekuilibrin e duhur, rregullatorët duhet t’i japin përgjigje tre pyetjeve si: Çfarë janë kripto asetet? Si duhet të menaxhohet rreziku ditor? Dhe çfarë kërcënimi përbëjnë ato ndaj stabilitetit financiar? Sot për sot, nuk ka një term të përcaktuar për kriptomonedhat. Madje edhe brenda të njëjtit shtet ka disa përcaktime në drejtim të tyre. A janë ato një produkt, një monedhë apo një klasë e veçantë asetesh? Në Amerikë, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Bursa ka lënë të kuptohet se do ta trajtojë shumicën e monedhave dixhitale “token” të nxjerra nëpërmjet ofertës fillestare si letra me vlerë.
Rregullatori zviceran, FINMA, duket se ofron në zgjidhje më të mirë. Në shkurt të këtij viti, ai deklaroi se do ta bazonte përcaktimin e tyre sipas funksionit, p.sh. nëse ato do të përdoreshin për pagesa, si një monedhë dixhitale e njohur me termin “token”, që u japin mbajtësve të tyre aksesin ndaj shërbimeve specifike apo si një investim. Kjo do të thotë gjithashtu se klasifikimi i monedhave dixhitale mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Vendime të tilla janë edhe një mënyrë e mirë për t’u marrë me rreziqet e shumta ditore të kriptomonedhave, nga pastrimi i parave e deri te mbrojtja e konsumatorit, jo më kot kriminelët ishin ndër të parët që investuan në monedhat dixhitale.
Ndryshimi i vazhdueshëm i rregullave mbi bazën e të cilave funksionon sfera e kriptomonedhave, mund të ndikojë duke luftuar edhe pastrimin e parave apo të parregullsive të tjera brenda këtij rrethi. Objektivat e dukshme janë ato të shkëmbimeve, ku paratë e zakonshme janë shkëmbyer me kriptomonedha dhe anasjelltas. Rregullatorët duhet të kërkojnë që këto shkëmbime të bëhen duke u bazuar në standarde të ngjashme me ato të bankave. Këto përfshijnë identifikimin e të gjithë konsumatorëve dhe mbajtjen e një regjistri të transaksioneve të pazakonta.
Disa shtete, duke përfshirë Australinë dhe Korenë e Jugut, veprojnë tashmë në këtë mënyrë. Gjatë muajit të kaluar, edhe BE-ja miratoi një direktivë që përcaktonte të njëjtën gjë. Ekziston nevoja për një qasje të harmonizuar, me qëllim parandalimin e pastrimit të parave të paligjshme në kriptomonedha. Ndërsa për sa i përket mbrojtjes së konsumatorëve në momentin që ata investojnë në kriptomonedha, këshillohet që ata ta kufizojnë tregun tek investitorët e akredituar, për arsye se mund të jenë më profesionistë në gjykimin dhe mirëmenaxhimin e rreziqeve dhe sigurisht që janë edhe më të mbrojtur në rast të çdo humbjeje. Por vendosja e kufizimeve në lidhje me mënyrën sesi cilido mund t’i investojë paratë e tyre, edhe pse duke rrezikuar është shumë e vështirë.
E vetmja gjë që mund të bëhet është nxjerrja e parandalimeve të qarta nga autoritetet në lidhje me rreziqet e spekulimeve të kriptomonedhave, madje disa shtete kanë filluar që të pengojnë reklamimin e Ofertave Fillestare te Monedhës. Ndërsa përgjigjja e pyetjes së tretë është më e lehtë për t’u dhënë. Kripto-asetet ende nuk përbëjnë rrezik për stabilitetin financiar botëror; ato vlejnë më pak se 3% e bilancit të kombinuar të bankave qendrore në Amerikë, Britani, Gjermani dhe Japoni.
Por erërat e ashpra të bitcoin janë një paralajmërim se gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Rregullatorët nuk duhet t’ua ndajnë sytë faktorëve që mund të rrezikojnë të gjithë sistemin financiar, siç është për shembull shuma e huave të marra nga investuesit në kriptomonedha./Monitor
Fraksion.com