PD denoncon policin me pistoletë, nga protesta u plagosën 11 efektivë
Pas rreth dy orësh, ka përfunduar edhe protesta e opozitës, që pavarësisht tentative sporadike, mund të thuhet se u mbyll në mënyrë të qetë e paqësore.
Por Partia Demokratike ka publikuar një fotografi të një efektivi të Policisë të pajisur me pistoletë gjatë protestës së opozitës.
“Gjate protestes, policia ka qene e pajisur me arme zjarri, gje qe eshte e ndaluar me ligj. Policia ne rresht te pare”,thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Mijëra qytetarë protestuan sot ku kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Për rreth 2 orë qytetarët protestuan fillimisht te Kryeministria dhe më pas te Ministria e Brendshme.
Nga protesta e opozitës kanë mbetur të plagosur edhe 11 efektivë të Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu i vizitoi ata në Spitalin Ushtarak. Ai tha se “Janë 11 punonjës të lënduar nga gurë apo sende të tjera të forta. Gjendja e tyre është e mirë. Dua të falenderoj jo vetëm policinë që treguan maturi për përballimin e tubimit por edhe FNSH që menaxhuan këtë aktivitet. Mund të them me plot gojën që Policia e Shtetit sot ka bërë detyrën.
Në lidhje me dhunimin që i është bërë kryeredaktorit të gazetës RD, Veliu tha: “Isha dhe te qytetari. Unë i uroj shërim të shpejtë qytetarit dhe këtë le ta gjykojnë pamjet filmike dhe hetimi i mëtejshëm në rast se ka gabuar policia apo ka gabuar qytetari.
Fraksion.com