Një vit i mbarë për buxhetet e bashkive
Nga i sigurojnë të ardhurat bashkitë kryesore të vendit. Ku i shpenzojnë paratë. “Monitor” sjell një përmbledhje të performancës së bashkive, sipas të dhënave të përpunuara nga statistikat e Financave Vendore (portali financat vendore.al).
Të 6 bashkitë në vend kishin në dispozicion për të shpenzuar për çështje administrative dhe investime kapitale rreth 76 miliardë lekë në vitin 2017, në rritje me rreth 23% krahasuar me një vit më parë. Në terma nominalë, burimet financiare totale rezultuan rreth 14.2 miliardë lekë më të larta.
Nëse në totalin e burimeve financiare vendore do të përfshinim edhe fondet e trashëguara nga viti i mëparshëm, burimet totale vlerësohen në një nivel prej 80.8 miliardë lekësh, në rritje me rreth 16.5% në terma vjetorë. Të dhënat bëhen të ditura në raportin vjetor të portalit financatvendore.al.
Mesatarisht, gjatë periudhës 2010-2017, struktura e burimeve financiare në dispozicion të bashkive nuk paraqet luhatje të ndjeshme. Të ardhurat nën autoritetin e plotë (apo të pjesshëm) të bashkive përfaqësuan rreth 57.4% të burimeve financiare totale dhe përfshijnë: të ardhurat nga burimet e veta, të ardhura nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike, të ardhura nga taksa të ndara.
Rritja e të ardhurave në këtë kategori u përcaktua gjerësisht nga rritja e të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike si dhe të ardhurat nga burime të veta të bashkive (taksa, tarifa, transaksione me asetet dhe të tjera). Ndërkohë të ardhurat nga taksat e ndara, kontribuuan në mënyrë modeste në rritjen e përgjithshme të kategorisë së të ardhurave të konsideruara.
Për vitin 2017, të dhënat tregojnë për diferenca të ndjeshme midis bashkive në lidhje me peshën e burimeve të ndryshme të financimit ndaj totalit të burimeve financiare, thekson raporti. Në terma konkretë, nëse të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 61.4% të totalit të burimeve financiare në Bashkinë e Tiranës, në Bashkinë e Hasit ky tregues zbret në një nivel prej 2.5%.
Diferencat e theksuara në peshën e të ardhurave nga burime të veta vendore ndaj totalit të burimeve financiare sinjalizojnë dhe paraqesin korrelacion të lartë edhe me demografinë e bizneseve dhe popullsisë në territor. Bazuar në të dhënat e INSTAT, rreth 28.7% e ndërmarrjeve aktive gjendet në territorin e Bashkisë së Tiranë. Në të kundërt, në Bashkinë e Hasit, janë të lokalizuara vetëm 0.2% e ndërmarrjeve aktive për vitin 2016.
Transferta e kushtëzuar edhe gjatë vitit 2017 rezulton të ketë qenë burim financiar me rëndësi për bashkitë në vend. Pesha e saj në totalin e burimeve financiare luhatet në një interval të gjerë: niveli minimal është rreth 11.5% dhe niveli maksimal rreth 55.4% e burimeve financiare totale. Ndonëse një vend i pasur me burime natyrore (dhe pjesë e rëndësishme e eksporteve), të ardhurat nga taksat e ndara (veçanërisht renta minerare) nuk duket të kenë pasur peshë domethënëse (me përjashtime të vogla) në të hyrat e bashkive.
Në total, për vitin 2017, në nivel vendor u shpenzuan rreth 80.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 16.7% në terma vjetorë. Norma vjetore e rritjes së shpenzimeve rezulton të jetë e përafërt me atë të një viti më parë. Sipas burimit të financimit, shpenzimet e kryera me fonde nga burime të veta rezultojnë të kenë rritur peshën e tyre ndaj totalit të shpenzimeve të bashkive në vitin 2017. Në total, bashkitë financuan rreth 59.7% të totalit me fonde nga burime të veta. Ndërkohë, shpenzimet e financuara me fondet e kushtëzuara shënuan një vlerë prej rreth 32.3 miliardë lekësh dhe përfaqësuan rreth 40.3% ndaj totalit gjatë periudhës së konsideruar.
“Monitor” sjell një përmbledhje të performancës së bashkive, sipas të dhënave të përpunuara nga statistikat e Financave Vendore (portali financat vendore.al).
Bashkia e Tiranës, një e treta e të ardhurave të veta nga taksa e infrastrukturës
Bashkia e Tiranës ka arritur një nivel rekord të ardhurash në vitin 2017, prej 16.7 miliardë lekësh në total, me një zgjerim prej 31.5% me bazë vjetore dhe më e lartë sesa planifikimi prej 14.7 miliardë lekësh që ishte bërë në fillim të vitit.
Në krahasim me vitin 2015, kur u shënua ndryshimi i pushteteve në Bashki, të ardhurat janë 77% më të larta.
Të ardhurat e veta (përjashtuar transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara) përbëjnë 63% të totalit dhe arritën në 10.3 miliardë lekë në 2017-n, me një zgjerim prej 40% me bazë vjetore. Efektin kryesor në këtë performancë të fortë e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë (që ka ndikuar në 50% të rritjes totale të të ardhurave). Nga kjo taksë, që vilet nga ndërtimet e reja, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 3.5 miliardë lekë, me një rritje prej 155% në raport me vitin e mëparshëm.
Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje (për një sipërfaqe totale 522 mijë metra katrorë) me rritje të numrit të lejeve prej 118%, në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë, ndërkohë që sipërfaqja është 2.5 herë më e madhe. Kjo është reflektuar dhe në arkën e Bashkisë, teksa taksa e ndikimit në infrastrukturë ka sjellë 33% të të ardhurave të veta.
Bashkia e kryeqytetit ka marrë nga ndërtimet e reja 25% më shumë të ardhura sesa ajo planifikonte të mblidhte në buxhetin e saj fillestar. Ndërtesat e reja paguajnë 8% të vlerës së shitjes si taksë për ndikimin në infrastrukturë, çka nënkupton se vlera totale e ndërtimeve për të cilat është mbledhur kjo taksë, arrin në 43 miliardë lekë, ose rreth 330 milionë euro.
Pas taksës së infrastrukturës, zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura në arkën e Bashkisë së Tiranës është tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit, me 1.73 miliardë lekë (rritje 8.5% me bazë vjetore). Në krahasim me vitin 2015, të ardhurat nga kjo taksë janë dyfishuar, duke reflektuar dhe rritjen e ndjeshme të tyre në Paketën Fiskale 2016.
Më pas vjen taksa mbi pasurinë e paluajtshme, me 1.72 miliardë lekë (rritje 12%), e cila mblidhet pothuajse krejtësisht nga ndërtesa, ndërsa pesha që vjen nga toka bujqësore është e papërfillshme. Nga tarifat administrative, bashkia ka mbledhur 1.25 miliardë lekë, me një zgjerim prej 50% me bazë vjetore.
Rritja e të ardhurave i ka mundësuar bashkisë që të kryejë më shumë shpenzime kapitale. Këto të fundit arritën në 6.3 miliardë lekë, 28% më shumë sesa viti i kaluar. Pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për infrastrukturën e transportin (3.7 miliardë lekë) dhe shërbimet publike (gati 2 miliardë lekë). Shpenzimet për arsimin zbritën në 572 milionë lekë, me një rënie prej 22% me bazë vjetore. Në rritje të fortë ishin dhe shpenzimet për pagat e personelit, që arritën në 4.4 miliardë lekë, ose 27% më shumë se vitin e kaluar.
Durrësi
Bashkia e Durrësit mblodhi në total në vitin 2017 rreth 3.7 miliardë lekë. Vetëm 1.4 miliardë lekë, ose 37% e shumës totale, ishte nga të ardhurat e veta, që në krahasim me vitin e mëparshëm, u zgjeruan me 10.4%. Ashtu si në rastin e Tiranës, taksa e infrastrukturës siguroi 28% të të ardhurave të veta, teksa u mblodhën 390 milionë lekë. Më pas renditen taksat mbi ndërtesën dhe tarifat administrative.
Shpenzimet kapitale ishin 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej 13.7% me bazë vjetore, të cilat shkuan kryesisht për infrastrukturë, shërbime publike dhe arsim.
Fieri
Të ardhurat që kishte në dispozicion Bashkia e Fierit arritën në një nivel rekord prej 3 miliardë lekësh, 45% më shumë sesa një vit më parë. Por më shumë sesa meritë e Bashkisë, kjo ishte për rrjedhojë e transfertave të bollshme të kushtëzuara nga Ministria e Zhvillimit Urban, për shkak të projektit të rregullimit të qendrës së qytetit, në kuadër të Rilindjes Urbane.
Të ardhurat e veta të Bashkisë ishin 614 milionë lekë, ose vetëm 20% e totalit. Burimi kryesor i të ardhurave të veta të Bashkisë është tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit, e ndjekur nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Ndryshe nga Tirana dhe Durrësi, në Fier, taksa e ndikimit në infrastrukturë zë peshë të ulët. Shpenzimet kapitale ishin 1.4 miliardë lekë, me një rritje prej 51.6% me bazë vjetore, të cilat shkuan kryesisht për infrastrukturë, shërbime publike dhe arsim.
Elbasan
Në Elbasan, Bashkia mori në total 3.7 miliardë lekë, 22% më shumë se një vit më parë. Ashtu si në rastin e Fierit, kontributin kryesor e zunë transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, ndërsa të ardhurat e veta përbënin vetëm 17% të totalit (643 milionë lekë).Burimet kryesore të të ardhurave të veta mbeten taksa e ndërtesave, tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit dhe tarifat administrative. Taksa e ndikimit në infrastrukturë solli 13% të të ardhurave të veta. Pavarësisht të ardhurave më të larta, shpenzimet kapitale ishin vetëm 758 milionë lekë, me një rënie vjetore prej rreth 13% në krahasim me 2016-n.
Vlora
Në Vlorë, burimet totale në dispozicion të Bashkisë ishin 2.5 miliardë lekë, me rritje 30% në krahasim me 2016-n.
Nga taksat dhe tarifat, Bashkia siguroi 622 milionë lekë, ose 24% të totalit, që erdhën kryesisht nga taksa e ndërtesës, tarifa e pastrimit dhe tarifat administrative. Shpenzimet kapitale u katërfishuan në 876 milionë lekë, të cilat shkuan kryesisht për infrastrukturë, shërbime publike dhe arsim dhe çështjet administrative.
Shkodra
Shkodra kishte në dispozicion në vitin 2017 rreth 2.6 miliardë lekë, me një rritje më të ulët vjetore në krahasim me bashkitë e tjera, prej vetëm 6%. Nga të ardhurat e veta (taksat dhe tarifat), Bashkia siguron 610 milionë lekë (23% të totalit), të cilat u rritën me 21% me bazë vjetore.
Bashkia e Shkodrës nuk është kursyer në dhënien e lejeve të ndërtimit, teksa të ardhurat nga taksa e infrastrukturës pothuajse u trefishuan në 128 milionë lekë dhe zunë 21% të totalit të të ardhurave të veta. Gjithsesi, më shumë të ardhura solli taksa e pastrimit dhe gjelbërimit me 153 milionë lekë.
Shpenzimet kapitale u dyfishuan në 2017-n në raport me një vit më parë (në 307 milionë lekë), megjithatë në periudhën 2016-2017 ato kanë qenë në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit. Pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale shkuan për infrastrukturën.
Korça
Burimet totale të Korçës ishin 2.5 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 34%, megjithatë ato mbeten më të ulëta se viti më i mirë i regjistruar, që është 2013-a, me 3.3 miliardë lekë. Nga të ardhurat e veta (taksat dhe tarifat), Bashkia siguroi 579 milionë lekë, ose 23% të totalit, ku peshën kryesore e mbajtën taksa e ndërtesës, ajo e pastrim-gjelbërimit dhe tarifat administrative. Shpenzimet kapitale pothuajse u dyfishuan në 1.6 miliardë lekë dhe si destinacion kryesor kishin infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Flet Merita Toska, eksperte për financat vendore në CO-Plan
Bashkitë në kahun përmirësues
Performanca financiare e 61 bashkive në vend rezulton të ketë qenë në kahun përmirësues. Gjatë vitit 2017, burimet financiare të disponueshme u rritën me rreth 23% në terma vjetorë. Ndonëse në nivel agregat, panorama vlerësohet pozitivisht, diferencat e theksuara ndërmjet bashkive në burime financiare të disponueshme nxjerrin në pah dobësitë strukturore që karakterizojnë qeverisjen vendore të nivelit të parë.
Në këtë kontekst, përmirësimi i shënuar në burimet financiare vendore, që rezulton të jetë udhëhequr nga bashkitë e mëdha, paraqet diferenca të theksuara ndërmjet bashkive dhe përcaktohet gjerësisht nga transferta e pakushtëzuar dhe burimet e veta vendore. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore luajtën rol të rëndësishme në buxhetet vendore, ndonëse me kontribut të qenësishëm nga të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo mbi pasuritë e paluajtshme. Pavarësisht zhvillimeve pozitive të regjistruara, niveli i autonomisë vendore mbetet i ulët, veçanërisht në ato bashki ku të ardhurat nga burimet vendore kanë peshë të ulët në buxhet.
Shpenzimet e bashkive për vitin 2017 rezultojnë të kenë ndjekur prirje rritëse. Rreth 67.3% e shpenzimeve u përballua me fonde të veta të bashkive dhe pjesa tjetër, me fonde të kushtëzuara. Sipas natyrës ekonomike të shpenzimeve, rreth 67% e totalit të shpenzimeve shkoi për shpenzime korrente (paga dhe sigurime, operative dhe të tjera). Përjashtuar shpenzimet për funksionet e reja të transferuara në vitin 2016, sërish shpenzimet e qeverisjes vendore të nivelit të parë rezultojnë të kenë qenë në rritje. Ndërkohë, rreth 33% e buxhetit të vitit 2017 u kanalizua në investime infrastrukturore vendore (transporti, ujësjellës – kanalizime etj.).
Fraksion.com