Kosovë:Humb jetën një ushtar amerikan
Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se një ushtar amerikan ka humbur jetën derisa po shërbente në kuadër të forcave paqeruajtëse në Kosovë.
Rreshteri Conrad Robinson, 36 vjeçar, ka humbur jetën në një incident jo ushtarak në kampin Bondsteel në Kosovë, thuhet në një njoftim. Incidenti është duke u hetuar, thuhet në njoftim, por pa u dhënë hollësi të tjera rreth tij.
Komandanti i batalionit në të cilin shërbente ushtari Robinson, koloneli Kevin Kelly, shprehu ngushëllimet e tij. “Jemi jashtëzakonisht shumë të mërzitur me vdekjen e rreshterit Conrad Robinson. Ai ishte i njohur për buzëqeshjen e tij ngjitëse, për humorin dhe zemrën e tij të butë. Ishte përkufizimi i shërbimit të pashoq dhe çdo ditë u kushtonte kohë ushtarëve t’i dëgjojë e t’i udhëzojë. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen dhe miqtë gjatë kësaj periudhe të vështirë”, citohet të ketë thënë koloneli Kelly.
Ai la prapa gruan dhe dy vajzat e tij, të moshave 5 dhe 10 vjeçe. E ëma e tij Synthia Robinson u ka thënë mediave amerikane se ai u gjet në një karrige pa shenja jete të enjten në mëngjes para ushtrimeve të rregullta.
“Ende s’po mund të besoj”, tha ajo për NBC 7. “Nuk po mund të besoj se ai ka shkuar”.
Ky është rasti i dytë brenda këtij viti që një ushtar amerikan humb jetën në Kosovë.
Në janar ushtria amerikane tha se Robert W. Jones nga Arizona, 21 vjeçar, që ishte pjesë e policisë ushtarake amerikane, humbi jetën në kampin Bondsteel.
Disa qindra trupa amerikane shërbejnë në kuadër të forcave të KFOR-it në Kosovë. Aktualisht rreth 4 mijë e 400 trupa të NATO-s shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës.
Rreth 50 mijë trupa të NATO-s qenë në vendosur në Kosovë në qershor të vitit 1999 duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare që çoi në çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Nëntë vjet pas asaj lufte që la prapa mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur, Kosova shpalli pavarësinë e sak që ka mbushur dhjetë vjet dhe është njohur nga mbi 110 vende të botës, ndërsa kundërshtohet nga Serbia.
Rreth 160 ushtarë të KFOR-it kanë humbur jetën në incidente e aksidente të ndryshme gjatë shërbimit në Kosovë që nga qershori i vitit 1999./VOA
Fraksion.com