AktualitetBota+Të fundit

Frika se Kina ka dëmtuar inovacionin në Perëndim është e ekzagjeruar

Licencat dhe studimet kërkimore amerikane janë shtuar së bashku me rritjen e deficitit të saj tregtar me Kinën

 

Një ndër shqetësimet më të mëdha në lidhje me tregtinë e lirë me Kinën është përqendruar në humbjen e vendeve të punës në industrinë prodhuese, si në Amerikë, edhe në Europë, shkruan The Economist. Ndërsa politikëbërësit kanë një shqetësim, atë që zhvillimi i mëtejshëm i Kinës po dëmton inovacionin në Perëndim.

Ky shqetësim është ndër të paktat çështje që bashkon demokratët dhe republikanët amerikanë. Në vitin 2016, sekretari i Tregtisë, gjatë mandatit të Barack Obama-s, u shpreh se ekonomia shtetërore e Kinës do të dobësonte ekosistemin e inovacionit botëror. Këshilltarët e Donald Trump thonë se Kina e vështirëson punën për firmat e huaja që të investojnë në industrinë e inovacionit.

Kjo ka qenë edhe një ndër çështjet që ekipi amerikan i z. Trump, ka diskutuar me zyrtarët kinezë në vizitën e fundit në Pekin. Marrëdhënia midis konkurrencës dhe inovacionit është komplekse, madje shumë më përpara se ajo të lidhej me tregtinë ndaj Kinës.
Ekonomistët pajtohen njëzëri se një mjedis i drejtë konkurrues nxit inovacionin. Por ata nuk pajtohen pikërisht me faktin se si duhet të ishte ai mjedis ideal, thotë Monitor.

Rritja e konkurrencës mund t’i nxisë kompanitë që të përpiqen më shumë për të zhvilluar produkte të reja, me shpresën se do të fitonin një pjesë më të madhe të tregut. Por, nga ana tjetër, nëse konkurrenca është e tepruar, fitimet për shumë kompani mund të zhduken deri në atë pikë sa ato të mos ndërmarrin më asnjë risk përsipër.
Një tjetër frikë në këtë drejtim është se Kina do të zhvillojë një lloj të gabuar konkurrence, duke ndikuar negativisht edhe në ato vende që e zhvillojnë konkurrencën në mënyrën e duhur. Mbingarkesa në prodhimin e çelikut u shkaktua pjesërisht si pasojë e investimeve kineze në industrinë përpunuese të çelikut. Firmat që prodhojnë material gjysmëpërçues mendojnë se industria e tyre mund të përfshihet nga një mbingopje prodhimi.

Sipas Robert Lighthizer, përfaqësuesi i Tregtisë në SHBA, kompanitë e huaja që i tejkalojnë konkurrentët e tyre kinezë nuk shpërblehen në mënyrën e duhur, sepse Kina i nxit ata të transferojnë pronësinë e tyre intelektuale. Ekonomistët që merren me studimin e kompanive europiane zbuluan se konkurrenca nga importet kineze i nxiti firmat e ndryshme që të përmirësonin teknologjinë e tyre. Ata arritën në përfundimin se 15% e zhvillimit të teknologjisë në Europë midis viteve 2000 dhe 2007 mund t’i atribuohet rritjes së importeve nga Kina.

Por ekonomistët që shqyrtuan ndikimin e importeve kineze në Amerikë argumentuan se konkurrenca kineze në këtë rast kishte çuar një numër të madh kompanish që të shpenzonin më pak në industrinë e teknologjisë, duke qenë se fitimet pësuan rënie. Sipas tyre, importet shkaktuan rënie me 40% të reduktimit të licencave amerikane midis viteve 1999 dhe 2007, në krahasim me të dhënat e një dekade më parë.

Në fund të muajit prill, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një raport, ku citohej se pas një periudhe të gjatë rënieje, licencat që u ishin dhënë kompanive amerikane, ishin rritur ndjeshëm midis viteve 2010 dhe 2014. Përfundimi i raportit ishte pozitiv, sepse ishte rritur numri i shteteve që mendonin se lufta tregtare me Kinën është thjesht një “ide e kalbur”. Raporti i publikuar në prill nga FMN-ja vuri në dukje edhe një rritje të madhe të shpenzimeve amerikane në sektorin e kërkimeve dhe zhvillimeve gjatë të njëjtit vit, madje edhe pse deficiti tregtar i Amerikës me Kinën u rrit. Rritja e numrit të licencave ishte më e ngadaltë në Europë dhe Japoni.

Por licencat, si dhe rritja e shpenzimeve në sektorin e kërkimit, shënuan rritje në Korenë e Jugut, shteti i cili është më i ekspozuar ndaj konkurrencës prodhuese të Kinës. Në fund të vitit të kaluar, në një publikim të pavarur nga ai i FMN-së shkruhej se konkurrenca nga importet kineze ka bërë që shpenzimet në sektorin e kërkimit të rialokohen brenda industrive të caktuara dhe ndaj firmave më produktive dhe fitimprurëse.

Në të njëjtën kohë, shumë studiues i braktisën industritë prodhuese dhe u zhvendosën në sektorë të shërbimeve siç janë përpunimi i të dhënave dhe financat. Të dyja përfundimet e mësipërme janë në përputhje me një ekonomi amerikane, e cila po bën një lojë duke përdorur armët e saj më të forta. Sipas përfundimeve të analistëve të FMN-së, në fund të fundit, importet kineze nuk janë një kërcënim për inovacionin në Amerikë dhe se politikëbërësit mund të merrnin frymë lirisht në këtë drejtim. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim nga Shtëpia e Bardhë.