Thaçi nuk e pret mandatin e Kuvendit për dialogun final me Serbinë
Modalitetet e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të diskutohen në takimin e radhës, kanë paralajmëruar në Zyrën e Presidencës së Kosovës. Kjo do të ndodhë, pavarësisht mungesës së konsensusit brenda Kosovës për temat dhe rolin prijës të presidentit Hashim Thaçi, shkruan sot Koha Ditore.
Në Zyrën e presidentit janë shprehur të përcaktuar për t’u hyrë diskutimeve të fazës finale, kurdo që i thërret përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se, përveç diskutimeve të ideve dhe propozimeve për marrëveshjen përfundimtare, “si gjithmonë, do të diskutohet edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”.
“Tani është e qartë se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është futur në fazën e vet përfundimtare. Prandaj është krejtësisht e parashikueshme dhe e pritshme që në takimin e radhës të bisedohet për modalitetet e marrëveshjes përfundimtare, e cila duhet të shënojë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore. Kjo për Kosovën nënkupton sigurisht asgjë më pak se njohje reciproke”, ka thënë Çollaku për “Kohën Ditore”.
Fraksion.com