Prodhuesit Shqiptarë: Të analizohet ndikimi i luhatjes së euros tek eksportuesit vendas
Banka e Shqipërisë ka detyrimin që të bëjë një studim apo parashikim për ndikimin që kanë luhatjet e monedhës euro tek eksportuesit shqiptarë.
Kështu ka deklaruar Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshem i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, gjatë tryezës së sotme të diskutimit “Zhvlerësimi i monedhës së huaj dhe ndikimi te prodhuesit-eksportuesit vendas”.
Ai tha më tej në takim që u mendua se rënia do të ishte e lehtë.
“Megjithatë shqetësimi ynë është se nuk po kuptojmë deri ku është rënia. Kemi bërë një analizë sektoriale dhe për çdo kompani. Në fund të vitit do kuptojmë pasojat. Duhet të jemi korrekt në deklaratat tona. Ndikimin më të madh do ta kenë produktet ‘Made in Albania’. P.sh., sektori i inputeve të ndërtimit, bimët mjekësore dhe kompanitë fason. Ne jemi në të njëjtin mendim që tregu është i lirë. Nuk mendojmë që është si pasojë e rritjes ekonomike, por si pasojë e aktiviteteve informale dhs kriminale. Kërkojmë të bëjmë një tryezë me qeverinë për të gjetur rrugëzgjidhje të përkohshme. Prodhuesit nuk do të falimentojnë.”- tha z. Shkodra.
Nga ana tjetër, Bashkimi i Prodhuesve theksoi se “për këtë çështje kërkojmë dialog dhe se deri tani, nuk ka asnjë lloj përgjigje”.
Disa ditë më parë, një tjetër reagim për luhatjen e monedhës euro ka ardhur nga Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike e Shqipërisë. Përmes një letre zyrtare dërguar qeverisë, kjo shoqatë theksoi se zhvlerësimi i monedhës se huaj si ajo e euros dhe dollarit, po dëmton eksportuesit shqiptarë.
Sipas kryetarit të saj, z. Gjoka, situata ka shqetësuar muajt e fundit kompanitë eksportuese. Ata vlerësojnë se ka një rrezik të madh nëse nuk do të ketë ndërhyrje me politika stimuluese në këta sektorë jetikë të ekonomisë së zhvillimit kryesisht të zonave rurale të vendit tonë./Monitor
Fraksion.com