Deklaratë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbi hetimin e MH17
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë sot një deklaratë mbi hetimin e MH17.
Në deklaratë thuhet:
“Hollanda dhe Australia kanë njoftuar se ata e konsiderojnë Rusinë përgjegjëse për pjesën e saj në rrëzimin e fluturimit MH17 më 17 korrik 2014. Unë i bëj thirrje Rusisë të pranojë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojë plotësisht me të gjitha përpjekjet për të vendosur llogaridhënien, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2166.
Raporti i përkohshëm i Ekipit të Përbashkët Hetimor për rrëzimin e MH17 arriti në përfundimin se raketat e përdorura për të rrëzuar poshtë avionin e kishin origjinën nga Brigada e 53-të anti-ajrore e Federatës Ruse, e vendosur në Kursk.
Rrëzimi i MH17 ishte një tragjedi globale dhe përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës. NATO ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen e saj të plotë për përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet holandeze dhe të tjerët për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi në atë ditë të tmerrshme dhe për të arritur drejtësinë për 298 njerëz të vrarë dhe të dashurit e tyre”, përfundon deklarata e Shefit të NATO-s
Hetimi
Hetuesit ndërkombëtarë që po hetojnë rrëzimin e avionit MH17 të Malaysia Airlines mbi Ukrainën lindore në korrik 2014, kanë identifikuar brigadën ushtarake ruse që ka patur në zotërim raketën e përdorur për ta rrëzuar avionin.
Kjo është hera e parë që ekipi i përbashkët investigativ, me hetues nga Hollanda, Ukraina, Malajzia dhe Australia, ka ngritur idenë se ka pasur përfshirje të Rusisë.
283 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit vdiqën kur avioni MH17 u qëllua në qiejt e Ukrainës lindore, ndërsa udhëtonte nga Amsterdami drejt Kuala Lumpurit.
Ekipi i përbashkët hetimor pati bërë publike më parë provat se avioni ishte goditur nga një raketë ruse tokë-ajër e tipit “BUK”, e cila ishte futur nga Rusia në territorin e Ukrainës lindore.
Fraksion.com