Ndërpritet seanca, Basha: Kushtetuta ka rënë, shteti palë me krimin
Me një protestë masive të paralajmëruar për t’u mbajtur të shtunën nga opozita dhe me shumë lëvizje ndër aktorët politikë në vend, seanca plenare e ditës së sotme ka nisur në Kuvend në orën 10:00, siç ishte parashikuar.
Seanca nisi e qetë dhe fillimisht LSI nëpërmjet deputetes Kejdi Mehmetaj kërkoi të hiqet nga rendi i ditës, projektligji për frekuencat e dixhital-dividentit, pasi nuk është diskutuar në komisionin përkatës, por ky propozim u rrëzua.
Por pas këtij votimi, fjalën e mori kryeopozitari Lulzim Basha, i cili fillimisht tha se Parlamenti është antikushtetues dhe ka shkelur disa herë me radhë ligjin.
“Më lejoni ta nis me një këshillë për z. Vasili dhe deputetët e LSI që kërkojnë zbatim rregulloreje në një parlament që ka bërë akte antikushtetuese dhe ka shkelur ligjin. Ti kërkosh këtij parlamenti të zbatojë ligjin është njësoj si t’i kërkosh krimit të organizuar të marrë përsipër rendin dhe sigurinë. Kjo është përpjekja e dështuar e kësaj mazhorance dhe qeverie të zhytur në krim për të dhënë fasadën e një parlamenti demokratik”, u shpreh Basha.
Basha shtoi më tej se në Shqipëria ka rënë Kushtetuta dhe për rrjedhojë sipas tij kryeministri dhe ministri i Brendshëm, po veprojnë me rregulloren e krimit për t’i mbyllur gojën dëshmitarëve që denoncuan aktivitetin si narkotrafikant të Agron Xhafajt.
“Kushtetuta kë rënë, kodi penal ka rënë, ligji antimafia ka rënë, vettingu në polici ka rënë përsa kohë në këto karrige janë të ulur Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama, të cilët janë zbuluar para mbarë botës si zbatuesit e një skenari kriminal që ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Agron (Geron) Xhafajt. Ky skenar ka për qëllim të mbulojë komplotin antiligjor për të shkatërruar provat, për të intimiduar, blerë dhe kërcënuar denoncuesit e krimit, që shqiptarët i kanë parë me zë dhe figurë dhe për të mbajtur Xhafajn ministër të Brendshëm”, u shpreh Basha.
Por në këtë moment, koha e dhënë prej 3 minutash nga kryeparlamentari Ruçi mbaroi dhe mikrofoni u fik për kreun e PD, por siç ka ndodhur në disa seanca radhazi, Basha nuk u largua në foltore dhe atij iu bashkëngjitën të gjithë deputetët e opozitës.
Disa nga deputetët e PD shpalosën parrulën: “Shqipëria si gjithë Europa. Jo qeveri e krimit dhe drogës”.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i tha Bashës se “kjo shfaqje e shëmtuar e radhës tregon se sa të gatshëm dhe çfarë mesazhi doni të përçoni për vendimmarrjen e qershorit”, duke ju referuar vendimit për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit./shqip
Fraksion.com